Nga Artin Halili
Panajot dhe Boni Hamzallari janë dy vëllezër të rinj nga Korça, të cilët po tërheqin vëmendjen me talentin dhe pasionin e tyre për muzikën. Të dy këndojnë dhe luajnë në kitarë, duke sjellë për publikun emocione përmes tingujve dhe interpretimit live.
Gjatë ditëve festive, ata janë ngjitur disa herë në skenën e Pazarit të Vjetër të Korçës, ku kanë performuar për vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj që zgjodhën qytetin juglindor për të festuar. Interpretimet e tyre janë pritur me interes, duke krijuar një atmosferë të veçantë në zemër të qytetit.

Edhe pse prej vitesh të angazhuar në muzikë, dy vëllezërit shprehen se e ardhmja e tyre artistike e shohin jashtë Korçës, për shkak të mungesës së mundësive dhe mbështetjes për të rinjtë që krijojnë dhe interpretojnë muzikë.
Si Panajoti ashtu edhe Boni flasin për një pasion të ndërtuar prej vitesh, për dashurinë ndaj serenatave korçare, por edhe për dëshirën për të eksperimentuar me zhanre të tjera muzikore.

Megjithatë, mungesa e mbështetjes institucionale mbetet një nga pengesat kryesore për zhvillimin dhe promovimin e tyre artistik.
Historia e vëllezërve Hamzallari është vetëm një nga shumë rrëfimet e të rinjve të talentuar në juglindje të vendit, të cilët kërkojnë më shumë vëmendje dhe mbështetje për të mos u detyruar ta kërkojnë ëndrrën e tyre larg vendlindjes.

