Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Vilson Bala, dha detaje mbi arrestimin e ish-kryeinspektorit të IMT-së në Durrës, Ardian Halili, për ndërtime pa leje në zonën e Ishmit. Ndërtimet u kryen gjatë kohës kur Halili mbante këtë detyrë, që nga viti 2018 e në vijim.
“Në vijim të punës për lokalizimin e ndërtimeve pa leje dhe identifikimin e personave përgjegjës, gjatë verifikimeve të kryera nga Policia dhe IKMT, ky shtetas u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij ‘Sent Michele Rezidencë’”, tha Bala.
Objekti i ndërtuar përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe prej 5,600 m². Veprimet penale i janë referuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Drejtori Bala theksoi se ky rast tregon qartë se disa zyrtarë, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, abuzojnë për përfitime personale. Ai shtoi se aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje po vijon intensivisht, në koordinim me strukturat e Policisë Bashkiake, IMT dhe IKMT.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka kërkuar intensifikimin e veprimeve për parandalimin e çdo ngjarjeje kriminale dhe evidentimin e personave që kryejnë ndërtime pa leje, zaptojnë hapësira publike, shkaktojnë zjarrvënie ose bllokojnë qarkullimin e automjeteve të emergjencës.
Autoritetet ftojnë qytetarët e Durrësit të denoncojnë çdo paligjshmëri ose shpërdorim detyre nga punonjës të institucioneve shtetërore, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe veprim ligjor.