Rubrika: “Mësues që nuk harrohen”
Nga Çaush Kullafi
Në vitin 1945, Shqipëria, e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore, përballej me sfida të mëdha, një ekonomi e rrënuar, mungesë infrastrukture dhe një nivel arsimimi tejet të ulët. Mijëra shqiptarë ishin analfabetë, ndërsa në fshatra arsimi ishte i kufizuar në mejtepe, ku mësohej vetëm alfabeti arab dhe elementë të fesë, duke lënë mënjanë gjuhën shqipe dhe dijet bazë.
Në këtë kontekst historik të vështirë, në fshatin Palush të zonës së Kalasë së Dodës, u ndez një dritë shprese,drita e dijes. Më 15 nëntor 1945, aty u hap shkolla e parë shqipe me mësuesin e parë të zonës: Selim Rasim Palushi.
Një hap historik për arsimimin në zonë
Një dokument i Komitetit Ekzekutiv të Kukësit, datë 24.12.1945, tregon për përpjekjet e dy burrave fisnikë, His Palushi dhe Zenun Palushi, të cilët, me qeleshe dhe veshje tradicionale lumjane, udhëtuan drejt Ministrisë së Arsimit për të kërkuar hapjen e shkollës në fshatin Palush. Ata kishin me vete edhe mësuesin që kishin përgatitur në internatin “Kosova” të Krumës,Selim Palushi.
Revista “Shkolla e Re” (nr. 2, 1946) e përshkruan me admirim këtë iniciativë qytetare të rrallë në një zonë të thellë malore.
Mësuesi që solli dritën në katër fshatra
Në fillim, mësimi zhvillohej në mejtepin pranë xhamisë, ku u regjistruan 32 nxënës,një numër mbresëlënës për kohën. Më vonë,në vitin 1946, u ndërtua një shkollë e re për fshatrat Palush, Bushtricë, Matranxh dhe Gjegje,ku Selim Palushi vazhdoi të shërbejë si mësuesi i parë, tashmë për gjithë krahinën.
Selim Palushi, figura që la gjurmë të pashlyeshme
I lindur në vitin 1928, Selim Palushi u rrit në një familje me tradita të forta kulturore e atdhetare. Familja Palushi ishte model i mikpritjes, besës dhe arsimdashjes,vlera që Selimi i trashëgoi dhe i mishëroi në misionin e tij arsimor.Me formim të marrë fillimisht në mejtepet lokale dhe më pas në internatin “Kosova” në Krumë e në kurse kualifikimi në Shkodër, ai u bë një mësues i përgatitur, me vizion të qartë për të ardhmen e brezave.
Një jetë në shërbim të dijes dhe komunitetit
Gjatë një karriere 40-vjeçare në arsim, ai punoi në shkollat e Bushtricës, Cajës dhe Kalisit,duke u bërë figurë e respektuar në çdo komunitet ku shkeli. I qartë në fjalë,i prerë në parime, por i dashur në komunikim, ai mishëronte më së miri figurën e mësuesit si edukator, këshilltar dhe atdhetar.
Në vitet 1950, mori pjesë aktive në fushatën për zhdukjen e analfabetizmit, duke dhënë mësim edhe për të rriturit. Në një raport të vitit 1947 në nënprefekturën e Bicajt, ai shkruan me përulësi:“Jam munduar me të gjitha fuqitë e mia për të dhënë kontributin tim në lëndët e arsimit fillor, brenda dhe jashtë shkollës, tue i shërbyer popullit në çdo pikëpamje.”
Mirënjohje dhe vlerësim kombëtar
Puna dhe përkushtimi i Selim Palushit u vlerësuan në nivel kombëtar me këto dekorata të rëndësishme:
• Medalja e Punës (1961) – për kontribut të dalluar në edukimin e brezit të ri.
• Medalja “Naim Frashëri” (1980) – për arritje në fushën e edukimit dhe aktivizmit shoqëror.
• Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit II (1995) – për rezultate të larta në punën mësimore dhe edukative.
Një trashëgimi që nuk shuhet kurrë
Mësues Selimi ndërroi jetë në vitin 2001,në moshën 73-vjeçare, por amaneti i tij u respektua.Ai u varros në vendlindje, në Palush, aty ku nisi gjithçka.
Kujtimi i tij nuk jeton vetëm në kujtimet e ish-nxënësve të parë, por edhe në historinë kolektive të katër fshatrave që u ndriçuan nga drita e dijes që ai solli. Ish-nxënës të tij si Xhavit Lashi, Fejzulla Gjabri dhe të tjerë e kanë përjetësuar figurën e tij në shkrime, libra dhe rrëfime publike.
Simbol i përjetshëm i dijes dhe shpirtit fisnik shqiptar
Mësues Selim Palushi nuk ishte thjesht një edukator. Ai ishte themelues i kulturës së dijes në një trevë ku arsimi ishte luks dhe shpresë njëkohësisht. Ai mishëronte vlerat më të larta të malësorit shqiptar: burrërinë, besën, mikpritjen, përkushtimin dhe përgjegjësinë shoqërore.
Sot,figura e tij është një simbol i përjetshëm që frymëzon brezat,një pishtar i dijes që nuk do të shuhet kurrë në kujtesën e një populli që nuk harron mësuesit e tij të vërtetë.