Sara Mila në Komisionin për të Drejtat e Njeriut: Barazia gjinore nuk kërcënon familjen, e forcon atë

Deputetja e Qarkut Elbasan, Sara Mila, ka marrë pjesë sot në seancën dëgjimore të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku u diskutua projektligji “Për Barazinë Gjinore”. Në këtë seancë morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve kushtetuese dhe organizatave që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Gjatë fjalës së saj, Mila theksoi se barazia gjinore nuk është kërcënim për familjen, por forcim i saj, duke shtuar se një shoqëri ku vajzat dhe gratë kanë mundësi të barabarta për arsim, punë dhe vendimmarrje është një shoqëri më e drejtë dhe më e qëndrueshme.

Barazia gjinore nuk e zëvendëson rolin e burrit apo të gruas, por i çliron të dy nga stereotipet që i kufizojnë. Fuqizimi ekonomik i grave është mënyra më e qëndrueshme për të fuqizuar familjen shqiptare,” – u shpreh Mila.

Deputetja vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e politikave që nxisin përfshirjen përmes sportit, edukimit dhe kulturës rinore, duke i konsideruar këto fusha si ura që lidhin filozofinë e barazisë me realitetin e përditshëm.

Sporti është një terren i jashtëzakonshëm për të promovuar barazinë, përfshirjen dhe respektin që duam ta shohim edhe në shoqëri,” – shtoi ajo.

Në përmbyllje të fjalës së saj, Sara Mila nënvizoi se qëllimi i përbashkët i të gjithëve duhet të jetë ndërtimi i një shoqërie ku çdo vajzë, grua, djalë apo burrë ka të njëjtin shans për të ndërtuar jetën që dëshiron.

Barazia gjinore është e ardhmja e një shoqërie të drejtë dhe moderne. Është rruga që na bashkon në përpjekjen për një Shqipëri më të mirë për të gjithë,” – përfundoi deputetja e Qarkut Elbasan.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME