Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mirëpret sot në Shqipëri udhëheqësit e vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Brdo-Brijunit, një iniciativë rajonale që synon forcimin e bashkëpunimit dhe përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian. Samiti dyditor, që këtë vit mbahet në Tiranë, sjell në qendër të vëmendjes çështje kyçe për rajonin dhe perspektivën e tij evropiane.
Në fokus të diskutimeve janë temat që lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, procesin e integrimit në BE, Planin e Rritjes së BE-së, si dhe politikat për rininë dhe mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore.
Përveç Seancës Plenare dhe Konferencës për Shtyp që Presidenti Begaj do të mbajë së bashku me homologët e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe Kroacisë, Zoran Milanoviç, përgjatë punimeve të samitit do të zhvillohen edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.
Samiti pritet të përmbyllet me konkluzione të përbashkëta, që do të shërbejnë si nxitje për rritjen e bashkëpunimit dhe progresit mes vendeve pjesëmarrëse në këtë nismë.
Procesi i Brdo-Brijunit, i krijuar në vitin 2010 nga Sllovenia dhe Kroacia, përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Serbinë.
Agjenda e Samitit – E hënë, 6 tetor 2025
- 10:30 – 10:50: Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes. Pritja e delegacioneve nga Presidenti Bajram Begaj, Presidentja Nataša Pirc Musar dhe Presidenti Zoran Milanoviç. Pason foto familjare.
- 11:00 – 13:00: Seanca plenare.
- 11:05: Fjala hapëse e Presidentit Begaj.
- 13:00: Konferenca e përbashkët për shtyp e Presidentëve Begaj, Pirc Musar dhe Milanoviç.