Rritje e ndjeshme e virozave tek fëmijët në fund të shtatorit, mjekja Irena Palloshi nga Spitali Rajonal Elbasan jep alarmin dhe këshillat për prindërit

Nga Fatmir Popja

Reparti i Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Elbasanit gjatë këtij muaji po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve me viroza të stinës, një fenomen i përsëritur në këtë periudhë të vitit, por që këtë shtator ka shënuar shifra më të larta se zakonisht. Shefja e Shërbimit në Repartin e Pediatrisë, Irena Palloshi, tregon për situatën aktuale, simptomat më të shpeshta te fëmijët, kapacitetet e sistemit shëndetësor lokal dhe këshillat më të rëndësishme për prindërit që përballen me këtë situatë.

Sipas mjekes Palloshi, situata këtë fund shtatori është mjaft e ngarkuar. Ka një shtim të dukshëm të rasteve të fëmijëve që paraqiten në urgjencën pediatrike për shkak të virozave të stinës. Ajo thekson se, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, është evidentuar një rritje e ndjeshme si në numrin e konsultave ambulatore, ashtu edhe në ato që përfundojnë në shtrim spitalor.

Fluksi ka qenë i vazhdueshëm, veçanërisht gjatë dy javëve të fundit të shtatorit. Është periudha kur fëmijët kthehen në institucione arsimore, dhe kontakti i ngushtë favorizon përhapjen e virozave respiratore,” shpjegon mjekja Palloshi.

Në këtë periudhë dominon një spektër i gjerë virozash, kryesisht të rrugëve të sipërme respiratore, por nuk mungojnë edhe rastet me viroza gastrointestinale. Simptomat më të zakonshme përfshijnë:

Temperaturë të lartë dhe e vazhdueshme

• Kollë e thatë ose me sekrecione

• Hundë të zëna dhe rrufë

• Dhimbje fyti

• Diarre dhe të vjella në disa raste

• Gjendje të përgjithshme të lodhshme dhe mungesë oreksi

“Shumë prindër na drejtohen të shqetësuar, pasi fëmijët shfaqin temperaturë të lartë që zgjat mbi 3 ditë, vështirësi në frymëmarrje ose dehidratim,” sqaron ajo.

Reparti i Pediatrisë së Elbasanit aktualisht është duke operuar në kapacitet të plotë. Çdo ditë shtrohen të paktën 40 fëmijë dhe vizitohen rreth 120 të tjerë. “Në shumë raste kemi pasur mbushje të shpejtë të shtretërve, në orët e mëngjesit dhe mbrëmjes kur urgjenca është më e ngarkuar. Edhe pse jemi të përgatitur, kapacitetet aktuale janë në kufijtë e tyre,” deklaron Palloshi.

Personeli është organizuar me orare të zgjatura dhe turne të shtuara. Mjekja shton se ka angazhim maksimal të stafit mjekësor dhe infermieror, gjë që lehtëson menaxhimin e situatës në kulmin e fluksit. Mjekja bën thirrje për vëmendje të shtuar nga prindërit, sidomos në rastet kur:

Temperatura nuk ulet pas 3 ditësh trajtim

• Fëmija refuzon ushqimin dhe ujin

• Ka shenja dehidratimi (gojë e thatë, mungesë lotësh, urinim i rralluar)

• Vështirësi në frymëmarrje apo kollë që përkeqësohet

• Përgjumje e pazakontë ose apati

Palloshi thekson se bashkëpunimi me institucionet arsimore është një hallkë kyçe për të frenuar përhapjen e virozave. Ajo thekson se, ndonëse ka njëfarë përpjekjeje për informim dhe ndërgjegjësim nëpër çerdhe e kopshte, shpesh masat parandaluese nuk zbatohen me rigorozitet, dhe kjo shton rrezikun e përhapjes masive të infeksioneve. Pediatrja shpreh shqetësim për mungesën e ndërgjegjësimit të plotë rreth vaksinimit si mjet parandalimi, veçanërisht tek gripi sezonal.

Mjekja pohon se tashmë fëmijëve që paraqiten për vizitë në Pediatri u bëhet edhe testi i Covid. Ajo ndërkohë bën apel që prindërit të mos neglizhojnë asnjë hap të kontrolleve mjekësore, pasi kjo ndihmon ndjeshëm në lehtësimin e formave të rënda të sëmundjeve virale. Në fund, mjekja pediatre Irena Palloshi ka një mesazh të qartë për të gjithë prindërit:

Kini kujdes ndaj simptomave të para, mos neglizhoni shenjat që përkeqësohen. Siguroni një ambient të pastër dhe ajrosur për fëmijët tuaj, shmangni kontaktin me të sëmurët dhe mos i dërgoni në çerdhe/kopshte nëse kanë shenja viroze. Dhe mbi të gjitha, mos u vetë-mjekoni në mënyrë të pakontrolluar, na u drejtoni në kohë!”

Në përballjen me këtë valë virozash, ndërgjegjësimi i komunitetit dhe mbështetja institucionale janë faktorë thelbësorë për të garantuar shëndetin e fëmijëve dhe funksionimin normal të shërbimit pediatrik. Reparti i Pediatrisë së Spitalit Rajonal të Elbasanit vazhdon të qëndrojë në shërbim të komunitetit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME