Rritje 47% e drejtuesve në administratë, digjitalizimi nuk ul stafin

Administrata publike po fryhet në numër punonjësesh vit pas viti, teksa po zhvendoset drejt pozicioneve më të larta në hierarki. Sipas të dhënave zyrtare për periudhën 2019–2024 numri total i të punësuarve në shtet është rritur me rreth 10 mijë persona. Nga 172,745 të punësuar në vitin 2019, administrata shkoi në 182,430 persona në vitin 2024. Zgjerimi nuk ka ndodhur në mënyrë të barabartë në të gjitha kategoritë.

Më të favorizuarit kanë qenë ligjvënësit, nëpunësit e lartë dhe drejtuesit ë lartë, të cilët janë shtuar me mbi 6,600 vetë,  me rritje me gati 47% brenda pesë vitesh. Pesha e drejtuesve në administratë është zgjeruar dukshëm në totalin e të punësuarve në këtë sektor me 11.2% më 2024 nga 8% në 2023. Punësimi shtesë në shtet tregon rritjen e peshores në favor të posteve drejtuese.

Ndërkohë, numri i specialistëve ka qenë relativisht i qëndrueshëm, duke u luhatur pak gjatë viteve dhe duke përfunduar në një nivel pak më të ulët në vitin 2024 krahasuar me 2019-ën. Në vitin 2019 kishte 76,023 specialistë, ndërsa në 2024 janë 75,817, një rënie e lehtë.

Në të kundërt, rënia më e fortë ka ndodhur tek nëpunësit e thjeshtë, nga 14,250 në 2019 në 13,286 në vitin 2024. Kjo ulje me më shumë se 900 vetë mund të lidhet me efektet e digjitalizimit të shërbimeve publike, të cilat kanë zëvendësuar nevojën për shumë pozicione fizike në sportele dhe administratë operative.

Një tjetër kategori që ka shënuar rritje të qëndrueshme janë punëtorët, të cilët janë shtuar me mbi 4,100 vetë gjatë periudhës së analizuar. Po ashtu, një rritje e lehtë vihet re edhe te teknikët dhe ndihmës specialistët, me rreth 45 vetë gjatë kësaj periudhe, duke ruajtur një qëndrueshmëri në strukturën shtetërore.

Në një kohë kur qeveria promovon digjitalizimin si një nga shtyllat e saj kryesore të reformës, rritja e ndjeshme e drejtuesve dhe e shpenzimeve për administratën fizike ngjan paradoksale.

Në këtë kontekst pritej që digjitalizimi i shërbimeve të shoqërohej me ristrukturim të administratës dhe ulje progresive të stafit, sidomos në nivelet më operative. Por të dhënat tregojnë të kundërtën, numri i të punësuarve jo vetëm që nuk ka rënë, por është rritur ndjeshëm në disa kategori, veçanërisht në nivelet drejtuese dhe të specializuara.

Mungesa e një reformimi të thellë dhe ristrukturimi të roleve në përputhje me teknologjinë tregon se digjitalizimi nuk po përdoret ende si instrument për të riorganizuar administratën./ Monitor

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Elbasani feston 10 vite muzikë të dhomës: Rekord pjesëmarrjeje këtë vit

Prej një dekade, Elbasani ka qenë nikoqir i përvitshëm...

Prokuroria heton votues të dyshimtë në zgjedhjet lokale të Junikut në Kosovë

Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet pas pretendimeve...

Aksidenti me Marquez kushton shtrenjtë Bezzecchi në Çmimin e Madh të Australisë

Fundjava në Phillip Island, ku zhvillohet Çmimi i Madh...

Elbasani në betejë për tri pikët: Çdo gabim i ndaluar ndaj Vorës

Skuadra e Elbasanit po i jep dorën e fundit...