Rikthimi i dijes në vendlindjen e qëndresës: Luljeta Bozo në Tropojë pas 51 vitesh

Akademikja dhe inxhinierja e njohur Luljeta Bozo është rikthyer në Tropojë pas plot 51 vitesh, në një vizitë me rëndësi të veçantë kulturore e profesionale. E shoqëruar nga inxhinieri Kristaq Puleri, ajo vizitoi Kullat historike të Bujanit, monumente që mbartin vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë shqiptare dhe historisë së qëndresës së Malësisë së Gjakovës.

Në pritjen e tyre mori pjesë kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, i cili u shpreh se vizita e profesoreshës Bozo përbën një nder të madh për Tropojën dhe një hap domethënës në misionin për ruajtjen dhe rivitalizimin e trashëgimisë kulturore të zonës.

“Ishte kënaqësi të shoqëroja inxhinieren Luljeta Bozo dhe inxhinierin Kristaq Puleri në Kullat e Bujanit. Këto monumente përmbajnë jo vetëm vlera arkitekturore e historike, por edhe shpirtin e qëndresës së Malësisë ndër shekuj. Me kontributin e tyre profesional, synojmë t’i bëjmë këto kulla të aksesueshme dhe të promovuara si asete të rëndësishme të turizmit kulturor,” deklaroi zoti Byberi.

Bashkia Tropojë ka aplikuar në fondet e Bashkimit Europian për Trashëgiminë Kulturore, me qëllim që restaurimi i Kullave të Bujanit të realizohet me standarde bashkëkohore dhe në përputhje me vlerat tradicionale të ndërtimit malësor.

Në këtë kuadër, Luljeta Bozo, kryetare e Shoqatës së Gjeoteknikëve të Shqipërisë, ka shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin e saj profesional në projektin e restaurimit. Ajo theksoi rëndësinë që kanë këto monumente në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në edukimin e brezave të rinj mbi historinë e vendit.

Vizita e profesoreshës Bozo në Tropojë përkon me një fazë të re të përpjekjeve të pushtetit vendor për të kthyer trashëgiminë kulturore në motor zhvillimi turistik. Pas suksesit me rivitalizimin e Kompleksit Muzeal në Bajram Curri, Kullat e Bujanit pritet të jenë destinacioni i radhës që do të marrë vëmendje të posaçme.

Kryebashkiaku Byberi e mbylli me një mesazh mirënjohjeje:

“Faleminderit profesoreshës Bozo për përkushtimin dhe dashurinë ndaj vendit. Rikthimi i saj pas më shumë se gjysmë shekulli në Tropojë është një mesazh frymëzues për të gjithë ne ,që dija, kujtesa dhe përkushtimi ndaj trashëgimisë janë gurë themeli të identitetit shqiptar.”

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

“Në moshën e tij unë peshoja 120 kile!” Ronaldo ngre në qiell Messin: “Ai ka parakaluar çdo legjendë”

BOTËRORI 2026 ,22 qershor 2026 /Albania Express News/Një deklaratë...

Rrufetë dhe shiu “mbyllin” stadiumin në Filadelfia, gazetarët detyrohen të braktisin tribunën!

BOTERORI 2026 ,22 qershor 2026/Albania Express News/Kupa e Botës...