Deputeti socialist i Librazhdit, Olsi Komici, ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Njësinë Administrative Polis, në një bashkëbisedim të hapur që përfshiu edhe komunitetin e zonës.
Në fokus të këtij takimi ishte jo vetëm organizimi dhe rienergjizimi i strukturave të partisë në terren, por edhe adresimi i problematikave konkrete të ngritura nga vetë banorët. Komici theksoi se komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët mbetet një element kyç për të kuptuar më mirë shqetësimet dhe për të rritur përgjegjshmërinë në përfaqësim.

“Mbështetja e madhe që na jep gjithmonë kjo zonë na mbush me besim, por njëkohësisht na vendos përballë përgjegjësisë për të dhënë llogari mbi çdo problematikë të ngritur”, u shpreh deputeti socialist, duke nënvizuar se kërkesat e qytetarëve janë motivim për më shumë punë dhe përmirësim.

Takimi në Polis vjen në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Partisë Socialiste për të qenë më pranë qytetarëve, përmes prezencës së përditshme në terren dhe dialogut të hapur me komunitetin.
“Puna jonë vazhdon çdo ditë, në terren, pranë njerëzve”, përfundon mesazhi i Komicit, duke theksuar vijimësinë e angazhimit politik dhe institucional në shërbim të komunitetit.


