TIRANË,17 maj 2026/Albania Express News/Kryeministri Edi Rama ka komentuar bashkimin e forcave politike në Kuvend për miratimin e rezolutës lidhur me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në podcastin e tij të përjavshëm “Flasim”, Rama e cilësoi pozitiv faktin që opozita iu bashkua shumicës qeverisëse për një çështje që lidhet me integrimin europian të vendit.
“Shënimi i fundit është për diçka të mirëseardhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë.
Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapë se prapë, është një herë me vlerën e vet dhe më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, që së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur.”, tha Rama.

