Reshjet e dendura në qarkun e Elbasanit shkaktojnë probleme në disa akse rrugore dhe ndërprerje të energjisë në Gramsh, Cërrik dhe Gracen

Që prej ditës së djeshme, qarku i Elbasanit është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar, të cilat kanë sjellë probleme të shumta në disa bashki të qarkut.
Sipas të dhënave zyrtare të Zyrës së Emergjencave Civile pranë Prefekturës Elbasan, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 64 mm reshje, prej të cilave 32 mm kanë rënë vetëm gjatë natës.
Raportimet nga bashkitë dhe nga salla operative e Policisë së Shtetit konfirmojnë raste të shumta  për rrëshqitje gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore kryesore:
•Në aksin kombëtar Elbasan–Qafë Thanë, në segmentet Dragostunjë dhe kthesat e Murrashit, janë shënuar rrëzime gurësh në trupin e rrugës.
•Në aksin Elbasan–Gjinar, në vendin e quajtur Derstile, si edhe në aksin Gramsh–Moglicë, në fshatin Bërsnik, janë regjistruar rrëshqitje inertesh dhe aluvionesh, duke e kufizuar qarkullimin vetëm në një korsi.
•Probleme janë raportuar edhe në aksin Librazhd–Steblevë, ku gjatë natës ka pasur bllokim të plotë të rrugës si pasojë e rënies së gurëve dhe pemëve.
Në qytetin e Elbasanit, reshjet kanë sjellë prani të ujit në disa zona urbane, por pa shkaktuar pengesa serioze në qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit, mjetet dhe forcat e firmave kontraktuese janë angazhuar për pastrimin e akseve rrugore dhe normalizimin e qarkullimit në të gjithë qarkun.
Si pasojë e motit të keq, është regjistruar ndërprerje e energjisë elektrike në disa zona, përfshirë Gramshin, Cërrikun dhe Njësinë Administrative Gracen në bashkinë Elbasan.
Në Gramsh dhe në fshatrat përreth, mungesa e energjisë zgjati mbi 13 orë, për shkak të defekteve të shkaktuara në dy kabina elektrike dhe në rrjetin shpërndarës.
Ekipet e OSHEE-së kanë punuar pa ndërprerje për të lokalizuar defektet dhe për të rikthyer furnizimin me energji.
Rreth mesditës së sotme, energjia është rikthyer gradualisht në pjesën më të madhe të qytetit, ndërsa puna vijon për normalizimin e plotë në zonat që mbeten ende pa drita.
Ndërkohë, strukturat e mbrojtjes civile në bashkitë Elbasan, Gramsh, Cërrik dhe Librazhd po ndjekin situatën në terren, duke qenë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike apo dëmeve të reja në rrjetin rrugor dhe energjetik.
Reshjet e fundit kanë treguar sërish nevojën për vigjilencë dhe koordinim të plotë ndërinstitucional, ndërsa autoritetet vendore sigurojnë se po vijon puna për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe stabilitetit të furnizimeve bazë në të gjithë qarkun e Elbasanit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME