Bashkia Elbasan bën të ditur se qarkullimi në aksin rrugor Gjinar-Elbasan është vështirësuar si pasojë e reshjeve të dëborës dhe mjeteve që kanë tentuar të ngjiten pa qenë të pajisura me zinxhirë.
Reshjet vijojnë me intensitet, duke krijuar kushte të vështira për lëvizjen e automjeteve, ndërsa në disa segmente janë evidentuar makina që kanë rrëshqitur dhe kanë penguar qarkullimin normal.
Bashkia informoi se në këtë aks ndodhen borëpastrueset dhe fadromat, së bashku me ekipet e punonjësve, të cilët po punojnë për pastrimin e rrugës dhe mbajtjen e saj të kalueshme.
Megjithatë, puna e tyre po has vështirësi për shkak të qindra mjeteve që nuk kanë marrë masat e nevojshme për lëvizje në kushte dimërore.
Bashkia Elbasan njofton se i është kërkuar Policisë Rrugore për ngritjen e një postblloku në këtë aks, me qëllim ndalimin e qarkullimit të çdo mjeti që nuk është i pajisur me zinxhirë.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse për të shmangur bllokimet dhe aksidentet.

