Tiranë, 24 janar 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ashpër pas pamjeve tronditëse të publikuara në mbyllje të protestës kombëtare të opozitës, të zhvilluar mbrëmjen e sotme në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Në sekuencat filmike dhe fotografike të shpërndara nga mediat, shihen qartë reporterë dhe operatorë kamerash të përlotur, me vështirësi në frymëmarrje, teksa ushtronin detyrën e tyre profesionale.
Sipas dëshmive të vetë gazetarëve në terren, gjendja e rënduar shëndetësore është shkaktuar nga përdorimi i tymueseve lotsjellëse nga Policia e Shtetit, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit. Ajo që e bën episodin edhe më të rëndë, sipas UGSH-së, është fakti se përdorimi i këtyre mjeteve ka ndodhur pikërisht në zonat ku ishin pozicionuar punonjësit e mediave për të raportuar protestën.
UGSH e cilëson këtë veprim si një akt të papranueshëm dhe denoncon publikisht lëndimet e shkaktuara ndaj reporterëve, operatorëve dhe punonjësve të tjerë të mediave, të cilët ndodheshin në protestë vetëm për shkak të detyrës. Sipas Unionit, Policia e Shtetit ka shfaqur sjellje injoruese ndaj gazetarëve dhe ka dhunuar hapur të drejtën e tyre për të raportuar lirshëm, duke i shndërruar në “reporterë që lotojnë për shkak të detyrës”.
Në reagimin zyrtar, UGSH u bën thirrje të gjithë gazetarëve të prekur që të denoncojnë çdo rast të dhunës apo lëndimit dhe të dokumentojnë çdo episod, përmes publikimit të imazheve dhe identifikimit të përgjegjësve, qofshin urdhërdhënës apo zbatues në terren.
Njëkohësisht, Unioni kërkon reagimin e menjëhershëm të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e medias dhe liritë themelore, duke theksuar se episode të tilla janë të papranueshme në një shoqëri demokratike dhe përbëjnë një kërcënim serioz ndaj lirisë së shprehjes dhe informimit.
“Cënimi i shëndetit dhe i integritetit të gazetarëve është kryer nga mjete dhe veprime të pakontrolluara të individëve nën uniformë”, thuhet në deklaratën e UGSH-së, e cila kërkon që rasti të hetohet pa vonesë dhe përgjegjësit të vihen përpara përgjegjësisë ligjore.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

