Nuk pati surpriza në garën e kronometrit individual në Kampionatin Europian të çiklizmit në Francë, ku po zhvillohet aktiviteti nga 1 deri më 5 tetor. Remko Evenepoel, në mungesë të Tadej Pogaçarit, pritej të fitonte kronometrin për meshkuj në kategorinë elitë – dhe ashtu ndodhi.
Belgu dominoi plotësisht 24 kilometrat mes Loriol-sur-Drôme dhe Étoile-sur-Rhône, duke lënë pas italianin Filipo Gana me 43 sekonda diferencë. Një performancë e jashtëzakonshme për një distancë të shkurtër, edhe pse segmenti i fundit zhvillohej me erë përballë. Evenepoel e përfundoi kronometrin në 28 minuta e 26 sekonda, me një shpejtësi mesatare 50.634 km/h. Ai ishte çiklisti i fundit që u nis, por arriti të kapë përpara Stefan Kung, i cili kishte startuar një minutë më herët.
Lodhja nga garat e fundit, përfshirë Kampionatin Botëror në Kigali ku fitoi kronometrin dhe u rendit i dyti në garën e rrugës, nuk ndikoi aspak në performancën e tij. I veshur me fanellën e kampionit botëror, Evenepoel konfirmoi statusin e favoritit dhe triumfoi përballë rivalëve që në letër dukeshin më të përshtatshëm për itinerarin.
Falë këtij suksesi, Remko Evenepoel mbetet kampion aktual i Belgjikës, Europës, Botës dhe olimpik në kronometrin individual. Në podium përkrah tij u ngjit edhe italiani Filipo Gana dhe danezi Niklas Larsen, i cili përfundoi 1 minutë e 8 sekonda pas belgut. Evenepoel riktheu kështu titullin europian që nuk e kishte fituar që nga viti 2019, kur mposhti Kasper Asgren dhe Edoardo Afinin.

