Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Gjykata Kushtetuese duhet të kthejë kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, në detyrë, duke theksuar se kryeqyteti ka nevojë të qeveriset nga një i zgjedhur legjitim.
Gjatë një takimi me qytetarë në Njësinë 3 të Tiranës, në kuadër të dëgjesave publike për buxhetin, Rama theksoi se kur Veliaj u arrestua, ai ngriti për herë të parë zërin për një proces të drejtësisë që e konsideroi disproporcional, pasi, sipas tij, kryetari i bashkisë nuk kishte kryer asnjë krim që të justifikonte pezullimin e tij.
“Për çfarëdo arsyeje që të hetohet kryetari i bashkisë nuk mjafton për të lënë qytetin pa drejtim, pasi kryetari nuk ka vrarë njeri dhe nuk është kapur në flagrancë”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se, pavarësisht pavarësisë së sistemit të drejtësisë – një hap historik që PS ka bërë për të garantuar këtë pavarësi – qyteti nuk mund të qeveriset përmes telekomandës apo delegimit. “Pavaresisht punës së madhe që bëjnë nënkryetarët, Tirana ka nevojë për kryetarin e zgjedhur që ta drejtojë”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi gjithashtu se përpjekjet për hapjen e rrugës për zgjedhje të reja në Bashkinë e Tiranës nuk sollën rezultat, pasi Gjykata Kushtetuese refuzoi të lejojë zgjedhjet, duke vendosur që kryetari i bashkisë duhet të jetë në detyrë dhe se as Këshilli Bashkiak dhe as qeveria nuk kanë të drejtë të hapin proces zgjedhor duke e larguar atë.
Rama theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i pakontestueshëm dhe respektohet, dhe shprehu shpresën se gjykata do të veprojë për kthimin e Veliajt në detyrë, duke normalizuar situatën në kryeqytet, e cila sipas tij po bëhet çdo ditë e më e vështirë.
“Është një vendim gjykate, nuk diskutohet që ne të kundërshtojmë. Nuk besoj se Gjykata Kushtetuese ka bërë politikë, por mendojmë ndryshe. Ata duhet ta kthejnë në zyrë në mënyrë që të normalizohet një situatë që është çdo ditë më e vështirë për kryeqytetin”, tha Rama.

