Ora 10:00 e kësaj të enjteje do të mbledhë 400 anëtarët e Asamblesë Kombëtare Socialiste në Pallatin e Kongreseve. Kryesocialisti Edi Rama pritet të prezantojë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme, duke ulur çdo eufori nga fitorja e mandatit të katërt më 11 maj.
Në këtë mbledhje do të shpallet edhe kabineti i ri qeveritar me të cilin Rama synon realizimin e objektivit madhor: anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.
Megjithë hamendësimet e shumta për emrat e ministrave të rinj, Rama ka ruajtur ekskluzivitetin e kabinetit. Në prag të Asamblesë, ai ka publikuar një foto nga zyra e Kryeministrisë, duke shkruar: “Mirëmëngjes, shihemi në orën 11”.
Gjatë javës, Rama ka zhvilluar takime dhe biseda telefonike me bashkëpunëtorët e tij të ardhshëm për të vendosur mbi postin e numrit dy të qeverisë, drejtimin e parlamentit dhe grupit parlamentar.
Të premten, deputetët e rinj socialistë dhe opozitarë do të shkojnë në Kuvend për t’u betuar. Ndërsa Sali Berisha, pavarësisht moshës më të madhe, nuk do ta drejtojë seancën konstituive, kjo për shkak të një refuzimi. Në vend të tij, seancën dhe betimin do ta udhëheqë për pak orë mjeku Vasil Lajo, një prurje e re në grupin parlamentar socialist.