Pse duhet ta pranojmë vdekjen si pjesë të jetës

 

NJË TABU QË DUHET THYER…

Njerëzit hynë në jetë për të dalë prej saj një ditë. Të gjithë ! Dikush më parë, dikush më pas. Ndonëse e natyrshme, universale, vdekja është kthyer në një tabu. Gjithnjë e më pak njerëzit janë të përgatitur për ta pranuar. 

Ndonëse flitet pak për të, injorohet sikur të mos egzistonte, fantazma e vdekjes i ndjek pas njerëzit, pas çdo hapi, duke vështirësuar jetën në pjesën e saj të fundit.

VDEKJA NUK MË TREMB, POR…

Në një intervistë të fundit (2019), Piero Angela 91 vjeçar, gazetari legjendar i RAI-t, drejtues i emisionit të famshëm Supper Quarc, pyetjes keni frikë nga vdekja i përgjigjet :“Vdekja nuk më tremb, por më shqetëson shumë se është fundi i jetës. Për shekuj ne kemi qenë të vdekur, dhe do vazhdojmë të jemi.   Një çast është jeta, vetëm ‘një gjysmë ore’ kur kemi fituar ‘llotarinë.’ Për këtë arsye duhet të përpiqemi ta jetojmë sa më gjatë.” 

Dhe aktori i famshëm Woody Allen 84 vjeçar me humor : “Frikë nga vdekja? Nuk kam por, thjeshtë nuk dua të jem aty kur ajo të ndodhë.” 

Me humor dhe “mbreti” i muzikës blues, B.B.King, pak para vdekjes në moshën 89 vjeçare : “Të gjithë në parajsë duan të shkojnë por pa vdekur më parë…”

DOLLI ME VDEKJEN !

Vdekja e Çehovit përmendet si nga më dinjitozet. Ndodhi në 15 korrik 1904 në një dhomë hoteli në BadenWürttemberg, Gjermani. Çehovi 44 vjeçar dergjej i sëmurë rëndë. Prej adoleshencës vuante nga tuberkulozi. Pranë tij në çastet e fundit i gjendej Olga Knipper, gruaja e tij, yll i Teatrit të Moskës, mjeku gjerman Schwoerer, në shërbim të tij, dhe një student rus i mjeksisë…

Sipas tyre ngjarja ka ndodhur pak a shumë kështu : Çehovi pas mesnatës kërkoi të thirrej mjeku. Kur ky i fundit e kuptoi se çdo shpresë për pacientin e tij po fikej, porositi një shishe shampanjë, mbushi një gotë pothuajse plot, dhe ja ofroi Çehovit, kolegut të tij mjek, në këtë rast pacienti tij. Çehovi vuri buzën në gaz dhe tha : “U bë kohë e gjatë që s’kam pirë shampanjë !” Ngriti gotën, e ktheu njëherësh të gjithë. U shtri i qetë, dhe heshti përgjithmonë. 

Dr Schwoerer do të shkruante: “Çehovi u soll me sëmundjen e tij të rëndë si një hero. Vdekjen e priti me një qetësi stoike të mahnitshme. Asnjë çast nuk e humbi vetëkontrollin. Duke vdekur ai dukej si i shenjtë. Ndoshta ishte ! ”

NGA FEJA TE MJEKSIA…

Për shekuj paraardhësit tanë u mbështetën te feja duke besuar ekzistencën e jetës së përtejme, shumë më pak i frikësoheshin vdekjes. Feja mësonte : është e lehtë dhe e natyrshme, si dhe lindja, vdekja, është thjeshtë një transferim, të flesh ‘këtu’, dhe të zgjohesh ‘atje.’ 

Dhe njerëzit shkonin më të qetë drejt saj…

Me zbehjen e besimit fetar, vdekja dikur monopol i fesë, u bë monopol i shkencës mjeksore. Klerikët, dikur ekspertë të vdekjes, ja lanë vendin mjekëve. Medikalizimi i vdekjes e ka kthyer shkencën mjeksore në një “fe” botërore që mund të vendosë kur dhe pas çfarë njeriu do të vdesë. Kjo “fe” po e konsideron vdekjen si një sëmundje që mund të trajtohet. Aq larg është shkuar sa edhe në moshë të thyer, vdekja të konsiderohet dështim i mjeksisë !

FESTA FUNERALEVE !

Tom Kirkwood, në librin “Koha që jetojmë”(1999) përshkruan dy reagime në dy shoqëri të ndryshme, ndaj vdekjes në ditët tona. Gjatë një udhtim në Navrongo, Gana, Afrikë, atë e befasoi slogani i vendosur në murin e një ndërtese publike : “Mirë se vini në Navrongo! Sezoni i funeraleve po fillon!” Në këtë skaj të botës funeralet konsideroheshin festë ! Menjëherë pas vdekjes thjeshtë bëhej varrimi, dhe në një sezon të përcaktuar posaçërisht, bëheshin funeralet. Një rit festiv në respektim të kalimit të të vdekuri nga bota reale në atë shpirtërore. Familjarët, miqtë mblidheshin, hanin, pinin, fesonin ditë me radhë ! Në këtë vend të Afrikës vdekja ishte shumë e zakonshme për të qenë e frikshme. 

“UDHËTIM” ME KTHIM…

Në një intervistë kohët e fundit (2019) shkrimtari i shquar Fatos Kongoli, flet për një gjendje të rëndë shëndetësore të kaluar pak kohë më parë. Flet për kërkesën e tij për eutanazi dhe një “udhëtim” deri në pragun e “portës së fundit.” 

“Mendimi për eutanazinë më erdhi kur mësova sëmundjen që kisha, sidomos gjendien që do të kisha pas ndërhyrjes kirurgjikale, tuba nëpër trup… Mendova se s’kish kuptim të jetoja në këto kushte. Kërkova eutanazinë… Do apo s’do, njeriu do të shkojë një ditë në destinacionin e fundit. Mirëpo njerëzit nuk e pranojnë eutanazinë…“

Më pas shkrimtari ju nënshtrua ndërhyrjeve të vështira kirurgjikale : “Pa asnjë stres u operova dy herë radhazi. Kisha frikë ? Jo, absolutisht jo. Kam hyrë në operacion duke qeshur, fare i qetë mendova sikur do hypja në një taksi që kudo të më çonte, unë s’do merrja vesh asgjë. Prandaj hyra shumë i qetë. Nuk më bënte përshtypje edhe sikur taksia të mos kthehej mbrapsh. Unë shkova, trokita, por më thanë jo. Unë u ktheva…”

Sot është mes nesh..

E KEQJA MË E VOGËL

Duhet të shihet vdekja si e keqja më e madhe ku mjekësia të përqëndrojë luftën ? Apo një cilësi më e mirë e jetës brenda një jetgjatsie me kufi ?  

Një jetë më e gjatë s’do të thotë më e mirë. 

Sipas një sondazhi të The Economist dhe Fondacioni Kaiser Family, një think tank prsetigjoz amerikan, nga anketimi i të moshuar me shëndet të mirë në katër vende të mëdha, rezultoi se s’ishte vdekja e medikalizuara çfarë ata dëshironin. Pak prej tyre kishin përparësi të jetonin sa më gjatë të ishte e mundur. Shumica dëshironin, kur të vinte koha, të vdisnin pa dhimbje, të rrethuar nga të dashurit pa ju bërë barrë atyre. Nuk preferonin një fund të teknologjizuar në njësi të kujdesit intensiv, as një jetë të varur nga aparatura, as ushqim me tuba, apo kirurgji të mëdha. 

Në librin e saj “Shkaqet Natyrore” (2018), Barbara Ehrenreich shkruan : “ Në moshën 76 vjeçare kam vendosur ta konsideroj veten mjaftueshëm të vjetër për të vdekur. Kundërshtoj check-up-in e përvitshëm, skrining për kancer, mamografi, çdo masë tjetër…Jo vetëm që refuzoj vuajtjen e një vdekje të medikalizuar, por refuzoj dhe një jetë të medikalizuar.” 

Por kjo është çfarë njerëzit thonë kur janë me shëndet të mirë. Kur fundi afrohet, kur medojnë spitalin plot mjekë, paisje mjekësore, vdekja në shtëpi s’është më tërheqëse.Trajtimet që dikur mendoheshin të pa tolerueshme për vuajtjeve që shkaktonin, duken e keqja më e vogël kur alternativa është vdekja. Atëherë ndryshojnë mendje.

Sipas disa statistikave në SHBA në 10 vitet e fundit të jetës të moshuarit i nënshtrohen trajtimeve mjeksore agresive mjaft të kushtueshme, me një përfitim tepër të diskutueshëm. Një e treta kalojnë tre muajt e fundit të jetës në njësi të kujdesit intensiv. Një e pesta i nënshtrohet një ndërhyrje të madhe kirurgjkale muajin e fundit të jetës ! Kjo prirje është duke u përhapur dhe rënuar më tej ekonomikisht sitemet shëndetsore.

DILEMA…

Të zgjasim jetën apo thjeshtë të vonojmë vdekjen ?  

Kjo pyetje ka të bëjë jo vetëm biologjinë, por edhe etikën, filozofinë dhe politikën e shëndetit publik.  

Jetëgjatësia natyrale ndjek rrjedhën e zakonshme të jetës. Jeta mbaron kur organizmi s’mundet më të mbajë ekuilibrin biologjik.  

Ndërsa jetëzgjatja artificiale me ndërhyrjet teknologjike e mban organizmin gjallë përtej kufirit të natyrshëm duke zgjatur thjeshtë vdekjen jo jetën. 

Duke u kthyer pas në kohë, edhe alkimistët ëndërruan pavdekësinë, por krijuan eliksire që vetë zgjatnin vuajtjen.  

Shkenca moderne rrezikon të përsërisë të njëjtën gjë.  

Në vendimarrjen për trajtimet mjekësore mosha duhet të jetë vendimtare. Në varësi të saj (70, 80, apo 90 vjeç) duhet të përcaktohen objektivat. Zgjatje e jetës? Ruajtja e cilësisë së jetës ?

Apo dhe ndalimi i trajtimit mjeksor ?

KAFENÉT E VDEKJES !

Në vend që të kërkojmë gjithëkohën pavdeksinë, duhet të përpiqen t’i japin kuptim vdekjes. 

E vetmja mënyrë për t’u çliruar nga makthi i saj është hapja e ‘arkës’ ku kjo tabu qëndron mbyllur. 

Bisedat për vdekjen tashmë kanë filluar të bëhen pjesë e mjekësisë moderne. 

Në vitin 2004 sociologu dhe antropologu zviceran Bernard Cretaz hapi në Neuchâtel të Zvicrës  të parën “Kafené të vdekjes” që tërhoqi vëmendjen dhe inspiroi hapjen e Death café në mbarë botën. Në këto klube mblidhen njerëz në prag të vdekjes, të moshuar, punonjës shëndetsorë, punonjes socialë dhe flasin hapur për vdekjen, normalitetin e saj. Qëllimi : më shumë informim, do të thotë më pak frikë, një jetë më të qetë, do të thotë më pak kërkesa për mjekime të pakuptimta, një vdekje më të mirë, që do të thotë një jetë më e mirë deri në fundin e saj.

DUKE E MBYLLUR…

Të përzgjedhur rastësisht, në jetë për të hyrë, për të jetuar një kohë, por dhe për të dalë prej saj një ditë… 

Kur jetës i mbaron koha organizmi njerzor refuzon çdo trajtim mjeksor të mëtejshëm. Të qetë atëherë duhet të largohemi, të themi mirëupafshim,

jo lamtumirë !

Mjeshtri sarkazmës, shkrimtari i madh Mark Twain shkruante :

“Jeta do të ishte pafundësisht e lumtur vetëm nëse ne do të mund të lindnim në moshën tetëdhjetëvjeçare dhe gradualisht të shkonim drejt tetëmbëdhjetave” . 

Por jeta është kjo, tepër e çmuar për ta shpenzuar duke u shqetësuar pa fund për vdekjen !

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME