Partia Socialiste ka përcaktuar sot pas mbledhjes së Kryesisë kandidatët për bashkitë e e Matit, Beratit, Tepelenës, Vlorës dhe Cërrikut.
Drejtuesja politike për Gjirokastrën, Mirela Kumbaro deklaroi se Gramoz Sako do të jetë kandidat për bashkinë e Tepelenës.
Kumbaro u shpreh se, Sako është një figurë e njohur në karrierën e vetë ushtarake, një karrierë e shkëlqyer me një emër shumë të mirë, por mbi të gjitha një djalë i Tepelenës.
Kumbaro theksoi se kandidati i propozuar nga PS, është një figurë e gjithëpranuar që gëzon respekt të plotë si në Tepelenë, por ashtu edhe në të gjithë karrierën e vetë me kolegët.
“Jemi të bindur se me Gramoz Sakon do të kemi një vazhdim shumë të mirë të vizionit të Tepelenës 2030 për të vazhduar me të gjithë projektet e suksesshme të zhvillimit turistik dhe bujqësor të qarkut të Gjirokastrës, ku Tepelena do të vazhdojë të jetë një krenari për PS-në, por edhe për gjithë jugun e Shqipërisë”, tha Kumbaro.
Drejtuesi politik për Dibrën, Blendi Klosi tha se Altin Bojni do të jetë kandidat i PS për bashkinë e Matit.
Klosi theksoi se, “CV-ja e tij si ekonomist dhe pastaj drejtues administrativ në disa institucione, por edhe në detyrën e tij si kryetar i këshillit bashkiak, është një figurë e konsoliduar, e cila siguron jo vetëm rezultat jashtëzakonisht pozitiv në zgjedhjet e radhës, por po ashtu edhe vazhdim të gjithë projekteve të zhvilluara në bashkinë e Matit, në të cilën kemi punuar kaq shumë për ta shndërruar në një zonë jashtëzakonisht pozitive, dhe një zonë e cila prej kohësh tashmë mbështet fuqishëm PS-në”.
“Altini vjen nga përvojat e tij në drejtim të institucioneve të pushtetit lokal dhe garanton vazhdimësinë e shumë aktiviteteve të nisura dhe të projektuara në bashkinë e Matit për ta shndërruar jo vetëm bashkinë e Matit, por gjithë qarkun e Dibrës, në një qark me shumë rezultate për sa i përket zhvillimit në atë zonë”, tha Klosi.
Drejtuesi politik i qarkut Berat, Ervin Demo u shpreh se kandidati për kryetar bashkie në Berat do të jetë Ervin Ceca.
Demo tha se, Ceca aktualisht është në detyrë. “Ka qenë kryetar i këshillit bashkiak për një periudhë pothuajse 6-vjeçare. Ka përfunduar studimet në Padova të Italisë për ekonomi. Ka punuar në bankat e nivelit të dytë për një kohë shumë të gjatë si drejtor banke në qytetin e Beratit”, tha Demo.
Demo u shpreh se, “Ceca është një figurë qytetare beratase, në një familje me tradita në qytet dhe patjetër mishëron atë çfarë Berati mishëron nga pikëpamja e kulturës dhe traditës”.
Ai theksoi se, “është normale që bashkia e Beratit do të vazhdojë me intensitet transformimin rrënjësor që ka përjetuar gjatë viteve të fundit dhe ato projekte madhore në të cilat dhe këshilli bashkiak ka qenë i përfshirë, patjetër do të vazhdojnë me hapa të sigurt në një të ardhme dhe më të mirë për qytetin e Beratit”.
Drejtuesi politik i qarkut Vlorë, Bledi Çuçi u shpreh se, kandidati për kryetar bashkie në Vlorë do të jetë Brunilda Mersini, deputete aktuale e PS në Vlorë.
“Në kushtet e krijimit të beftë të vakancës në bashkinë e Vlorës, për shkak të dorëheqjes së kryetarit të bashkisë, menduam që të kishim një kandidat për këtë pjesë të mbetur të mandatit që do të ishte dhe me eksperiencë menaxheriale për të mbuluar gjithë atë vakuum të krijuar nga dorëheqja e kryetarit të bashkisë, por edhe një figurë politike me një eksperiencë në politikë po aq të gjatë, dhe besoj se kandidatja që sapo miratuam në kryesi i plotëson këto kushte. Dhe ajo është Brunilda Mersini, deputetja aktuale e PS e qarkut të Vlorë dhe një nga ish-drejtueset më të suksesshme në bashkinë e Vlorës në gjithë këto vite ku PS qeveris në Vlorë dhe gjithë Shqipërinë”.
Drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku u shpreh se, kandidati për kryetar bashkie në Cërrik do të jetë Florenc Doka.
Mazniku theksoi se, “Florenci është një jurist, i cili ka një eksperiencë të gjatë administrative. Ka punuar në bashkinë e Cërrikut në disa funksione për një periudhë të gjatë”.
Mazniku u shpreh se, “Doka është një person që ka lidhje të ngushta me qytetin dhe eksperiencë administrative në nivel vendor, por edhe në institucione qendrore, duke siguruar në këtë mënyrë një vijimësi të punëve të mira që janë bërë në atë bashki dhe gjithë punëve të tjera të cilat presin përpara që të bëhen, për ta çuar Cërrikun ashtu si dhe gjithë qarkun e Elbasanit drejt vizionit Shqipëria 2030”