Tanimë kanë arritur protestuesit e parë në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, aty ku në orën 17:00, nis protesta “Drejtësi për çlirimtarët”.
Aty kanë nisur edhe përgatitjet e binës ku do të mbahen fjalimet për protestën në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sheshi ka filluar nga tani të mbushet me qytetarë nga Kosova të cilët po mbajnë në duar flamujtë kuq e zi.
Gjat♪7 protestës, fjalimet do të mbahen nga kryetari i OVL-UÇK-se, Hysni Gucati, ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ish-udhëheqësi i UÇK-se, Ali Ahmeti dhe një përfaqësues i familjeve të dëshmorëve.
Protesta në Tiranë organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Gjatë ditës së djeshme në konferencë për media kanë njoftuar se nga Kosova do të nisen mbi 60 autobusë.
Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.
Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota. Po ashtu, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbledhur më 7 gusht në Prishtinë, ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë në një protestë kundër padrejtësisë që vlerësojnë se po i bën Gjykata Speciale në Hagë.