“Ne s’jemi kriminelë që na sillni polici e ushtri”, me këto pankarta në duar, gazetarë dhe punonjës të kompanisë Fokus Media News, kolegë të mediave të tjera në vend janë mbledhur në hyrje të godinës së News24, e cila prej 3 ditësh mbahet e pushtuar nga policia ushtarake.
Gazetarët e Focus Media News, të cilët kanë qenë gjithmonë në vijën e parë për të sjellë informacionin për qytetarët, sot do të duhet të jenë vetë lajmi, për të ndërgjegjësuar shoqërinë shqiptare se nëse nuk reagohet, demokracia vdes në errësirë.
Në ditën e tretë të mbylljes së transmetimit të News24, prezenca e policisë ushtarake vijon të jetë në të gjithë ambientet e godinës së televizionit, pa patur asnjë lloj tërheqje megjithëse ky aksion është në kundërshtim të plotë me ligjin.
Në mbështetje të gazetarëve të Neës24, janë shprehur mjaft kolegë, organizata vendase dhe të huaja si dhe politikanë të njohur e aktivistë të shoqërisë.
Protesta e sotme është lajmëruar nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili ka reaguar menjëherë që në orët e para të mbylljes së transmetimit të News24 dhe pushtimit të godinës nga policia e shtetit dhe ajo ushtarake.