Ministri i Financave Petrit Malaj tha në Kuvend se ky projekt do të financohet nga një hua në vlerën prej 30 milionë euro nga BERZH dhe nga një grant prej 9.58 milionë euro, i siguruar nga Instrumenti i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), duke ulur kështu ndjeshëm koston e projektit dhe duke përmirësuar më tej qëndrueshmërinë financiare të investimit.
Projekti rreth 40 mln euro për energjinë nga dielli në Belsh
TIRANË- Ministria e Finanacave ka çuar për ratifikim në Kuvend projektligjin për miratimin e Marrëveshjes së Garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, lidhur me Marrëveshjen e Huasë mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për financimin e Projektit Fotovoltaik Solar.
Ministri i Financave Petrit Malaj tha në Kuvend se ky projekt do të financohet nga një hua në vlerën prej 30 milionë euro nga BERZH dhe nga një grant prej 9.58 milionë euro, i siguruar nga Instrumenti i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), duke ulur kështu ndjeshëm koston e projektit dhe duke përmirësuar më tej qëndrueshmërinë financiare të investimit.
Shqipëria, si një vend i cili e siguron prodhimin e energjisë kryesisht nga burimet hidrike, e ka të domosdoshme diversifikimin e burimeve, nisur edhe nga ndryshimet klimatike dhe periudhat e thatësirës.
Ndaj zbatimi i politikave që nxisin drejtpërdrejte investimet private për prodhimin e energjisë, mbeten të rëndësishme, tha ministri.
Ai sqaroi se sot janë në operim rreth 600 MW kapacitete të reja gjeneruese që përdorin diellin si burim natyror për prodhimin e energjisë dhe rreth 400 MW kapacitet i ri gjenerues i cili përdoret nga vetëprodhuesit e energjisë elektrike.
Ndërsa, në rastin e parë arrijmë të sigurojmë më shumë të ardhura për ekonominë dhe më shumë punësim, në rastin e dytë reduktojmë kostot e faturave dhe menaxhojmë më mirë konsumin vendas, që rritet më së shumti gjatë sezonit turistik.
Një tjetër element që vë në dukje rëndësinë e këtij projekti ka të bëjë edhe me kushtet e tranzicionit energjetik, ku Shqipëria synon të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të ulë varësinë nga prodhimi hidrik.
Gjithashtu ai na mundëson diversifikimin e portofolit të aseteve gjeneruese të shoqërisë publike KESh sh.a., përmes rritjes së kapacitetit prodhues dhe shtimit të sigurisë teknike e financiare në përmbushje të nevojave të konsumit të energjisë.
Malaj tha se ndërtimi i një impianti fotovoltaik me kapacitet 50 MWp në zonën e Belshit, si një nga rajonet me potencialin më të lartë diellor në Shqipëri, përfaqëson një hap strategjik, jo vetëm drejt modernizimit, por edhe rritjes së kapaciteteve të prodhimit bazuar në energjinë e pastër.
Duke qenë se do të shtrihet rreth 8 kilometra nga nënstacioni i Kajanit, do të shfrytëzojë potencialin e lartë të rrezatimit diellor që vendi ynë ka gjatë gjithë vitit.
Mbështetja e BERZH-it dhe grantit WBIF e bën këtë projekt më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe në përputhje me objektivat tona kombëtare.
Me ndërtimin e këtij impianti do të sigurohet rreth 1% e prodhimit vjetor të energjisë, ose rreth 2% e konsumit të energjisë në tregun e rregulluar.
Këto shifra mundësojnë rritjen e sigurisë së furnizimit, uljen e varësisë nga importi dhe rritjen e kapacitetet menaxheriale të rezervës hidrike të kaskadës së Drinit, tha ministri./MONITOR



