Në Tiranë u prezantua sot zyrtarisht koncepti për Ekspozitën Interaktive të Piramidës, e cila do ta kthejë këtë hapësirë ikonike në një simbol të gjallë të së ardhmes së Shqipërisë.
Në aktivitet ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bordi drejtues i AADF-së, kryetarja e komanduar Anuela Ristani, etj.
Projekti më i ri i AADF, ndërthur trashëgiminë arkitekturore me teknologjinë bashkëkohore, duke krijuar një përvojë tërheqëse, gjithëpërfshirëse dhe dinamike për çdo vizitor.
Gonxhja theksoi se ekspozita do t’i shtohet gjerdanit të pasur të ofertës kulturore e turistike të kryeqytetit, duke e bërë Piramidën një vend ku historia takohet me frymën e re të Tiranës, dhe ku çdo vizitor gjen diçka nga vetja, qoftë në kujtesë, në frymëzim apo në vizionin për të ardhmen.
“Me theks te autenticiteti, inovacioni dhe qëndrueshmëria, ky projekt synon të kthehet në një pikë referimi rajonale, ku kultura shqiptare prezantohet me finesë, identitet dhe horizont bashkëkohor, tha Gonxhja.
Ky projekt i zhvilluar nga AADF në bashkëpunim me Qendrën Piramida dhe i konceptuar nga Ralph Appelbaum Associates synon të ndërthurë arkitekturën ikonike të Piramidës me një përvojë bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse për vizitorët.
Si një dialog i hapur, ky prezantim shënon fillimin e një procesi të përbashkët për të ruajtur autenticitetin historik të ndërtesës, duke e orientuar drejt një vizioni dinamik për brezat e ardhshëm.