Presidenti bullgar Rumen Radev ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë, duke thënë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme pasi parlamenti refuzoi të miratojë buxhetin e vitit 2026.
Radev kritikoi pushtetin ekzekutiv duke deklaruar se është “i diskredituar” dhe se e vetmja rrugëdalje nga kriza aktuale politike është thirrja e zgjedhjeve të reja.
Asambleja Kombëtare më parë hodhi poshtë kërkesën e presidentit për të mbajtur një referendum nëse Bullgaria duhet të kalojë në euro në vitin 2026. Propozimi i buxhetit, i cili përfshinte futjen e euros dhe një rritje të disa taksave, shkaktoi protesta masive në Sofje, pas të cilave qeveria tërhoqi projekt-dokumentin.
Edhe pse protestat interpretohen nga publiku si një përgjigje ndaj masave ekonomike, Radev thekson se “demonstratat nuk udhëhiqen nga të rinjtë dhe se thelbi i pakënaqësisë nuk reduktohet vetëm te buxheti”.
“Nëse qeveria nuk jep dorëheqjen, ne do të paraqesim një kërkesë për votë mosbesimi”, tha presidenti.
Nga ana tjetër, ish-kryeministri Boyko Borisov paralajmëron se rënia e qeverisë nuk do të sillte stabilitet : “Nëse qeveria bie tani, tre deri në katër muajt e ardhshëm do të jenë kaos i plotë, sepse e dini se si funksionojnë qeveritë teknike”.
Një mocion mosbesimi do t’i dërgohet parlamentit bullgar në ditët në vijim, duke e thelluar më tej krizën politike.



