Presidenti Bajram Begaj takon Ardita Sinanin: Shqipëria do të jetë gjithmonë zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Nga Fatmir Popja

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot në Tiranë një takim me Kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ku në qendër të bisedës ishin çështjet që prekin drejtpërdrejt të drejtat dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke theksuar se mbrojtja e të drejtave dhe lirive të tyre themelore mbetet një prioritet i rëndësishëm në agjendën institucionale dhe diplomatike të vendit.

Presidenti Begaj siguroi kryetaren Sinani se Shqipëria do të vazhdojë të ngrejë zërin për problematikat e shqiptarëve të Luginës në të gjitha forumet dhe organizatat ndërkombëtare. Ai nënvizoi se shqetësimet e tyre do të bëhen pjesë e diskutimeve në takimet me partnerët ndërkombëtarë, me synim garantimin e respektimit të të drejtave të tyre.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte fenomeni i pasivizimit të adresave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, një praktikë që, sipas përfaqësuesve të Luginës, çon në mohimin e një sërë të drejtash themelore, duke filluar nga e drejta e votës, e deri te qasja në shërbimet shëndetësore, arsimore dhe përfaqësimi në institucionet shtetërore.

Presidenti Begaj vlerësoi faktin që kjo problematikë është përfshirë tashmë në raportet e progresit të Bashkimit Evropian, si dhe përpjekjet për ta çuar çështjen në Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pranimi i padisë për pasivizimin e adresave nga ky institucion konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Serbi.

Po ashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi edhe sensibilizimin në rritje të ligjvënësve amerikanë për këtë çështje, të cilët kanë kërkuar që shqetësimet e shqiptarëve të Luginës të shqyrtohen nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj theksoi se çështjet që lidhen me identitetin kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kërkojnë bashkim dhe koordinim më të madh mes faktorëve politikë dhe institucionalë në këtë rajon, duke këshilluar forcimin e bashkëpunimit për të përballuar sfidat dhe për të mbrojtur të drejtat e komunitetit shqiptar.

Takimi u vlerësua si një tjetër sinjal i mbështetjes së vazhdueshme të institucioneve shqiptare për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe përpjekjet e tyre për të garantuar barazi, dinjitet dhe përfaqësim të drejtë në vendin ku jetojnë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...