Policia garanton sigurinë në shkolla për fillimin e vitit shkollor 2025–2026

Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Agron Çeli, deklaroi të premten masat që Policia e Shtetit do të marrë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në shkolla me rastin e fillimit të vitit shkollor 2025–2026.

Veprimet do të koordinohen me Policitë bashkiake, oficerët e sigurisë në shkolla, drejtuesit e shkollave, qeveritë e nxënësve, bordet e prindërve dhe AKU-në. Strukturat vendore të policisë, përfshirë patrullat, Policinë Rrugore, Policinë Kriminale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, do të sigurojnë prezencë të shtuar në shkolla gjatë fillimit dhe përfundimit të orarit, pushimeve të mëdha dhe ndërrimit të turneve.

Policia Rrugore do të kryejë kontrolle të vazhdueshme në akset pranë shkollave, duke përfshirë testet për alkool, kontrollin teknik të automjeteve dhe respektimin e rregullave për transportin e nxënësve. Ndihmës/specialistët e Policisë dhe punonjësit e Policimit në Komunitet do të mbajnë kontakt të përditshëm me drejtuesit e shkollave dhe oficerët e sigurisë për parandalimin e veprimeve kriminale dhe fenomeneve negative.

Strukturat e Policisë Kriminale dhe ato vendore do të intensifikojnë marrjen e informacionit për veprimtari kriminale brenda dhe jashtë shkollave dhe do të identifikojnë dhe ndëshkojnë personat me tendenca kriminale, për të parandaluar ngjarje të rënda dhe për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Në kuadër të Paketës së Sigurisë në Shkolla, Policia do të bashkëpunojë me Ministrinë e Arsimit, Shëndetësisë, AKU-në, pushtetin vendor, psikologët dhe punonjësit socialë për përcaktimin e masave konkrete të sigurisë:

  • Përcaktimi i perimetrit të sigurisë në shkolla.
  • Kufizimi i parkimit dhe qarkullimit të automjeteve pranë institucioneve arsimore.
  • Vendosja e sinjalistikës vertikale dhe horizontale për disiplinimin e lëvizjes.
  • Mbyllja ose largimi i lokaleve të shitjes së pijeve alkoolike dhe produkteve të skaduara pranë shkollave.
  • Kontrolli i nxënësve për sende të kundërligjshme në portat e shkollave, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë dhe stafin pedagogjik.

Strukturat vendore të policisë do të evidentojnë çdo informacion lidhur me bullizmin, konfliktet mes nxënësve, veprimtaritë kriminale dhe rreziqet e tjera në shkolla dhe jashtë tyre, duke marrë masat e nevojshme për parandalimin dhe ndëshkimin e autorëve. Në rastet e njoftimeve të rreme që shkaktojnë panik, Policia do të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit.

Në kuadër të programeve për parandalimin e përdorimit të drogave, duhanit dhe alkoolit në shkolla, specialistët e Policimit në Komunitet do të vijojnë orët mësimore dhe aktivitetet edukative, si edhe do të marrin pjesë në takime të bordit të prindërve dhe senatit të nxënësve për diskutimin e problemeve të sigurisë.

“Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët të denoncojnë menjëherë në numrin pa pagesë 112 çdo dyshim ose rrezik që cenon jetën, shëndetin dhe procesin mësimor të nxënësve. Policia e Shtetit garanton një angazhim maksimal për sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor. Urojmë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme suksese në këtë vit shkollor! Policia është pranë jush, bashkëpunoni dhe diskutoni çdo shqetësim,” tha Çeli.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Rama: Shqipëria hapi dyert për afganët kur të tjerët i mbyllën

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në Ditën Ndërkombëtare të...

Nuk i kemi mundur kurrë dhe i kemi shënuar vetëm një herë, ja historiku i ndeshjeve të Shqipërisë me Holandën

Nëse Shqipëria do të kualifikohet në Botërorin 2026, atëherë...

Njihuni me shortin e plotë të Botërorit, kush konsiderohet grup “ferri”

Në Washington u hodh shorti i Botërorit, ku u...