Po t’i pyesësh çfarë viti presin të festojmë, me siguri do të thonë 1998!

Nga Alban Daci

Shqipëria në përgjithësi dhe e djathta në veçanti kanë personalitete të jashtëzakonshme, me nivel të lartë publik e profesional, por ata për fat të keq nuk janë e nuk kanë si të jenë pjesë e PD-së së bunkerizuar!

Mjafton të shikosh kush janë folësit, kush janë deputetët që përfaqësojnë për fat të keq logon e PD-së, për të kuptuar pse nuk mund të jetë alternativë dhe pse nuk i fiton dhe nuk mund t’i fitojë zgjedhjet!

Nuk duhet shkencë e madhe për të kuptuar pse ka përfunduar kështu PD-ja, sepse mjafton të shikojmë e të dëgjojmë ata që e përfaqësojnë!

Nuk merremi me Opozitën sepse e kemi me këtë të fundit! Merremi me të fundit sepse kjo duhet të jetë shpresa e vetme për një të ardhme më të mirë!

Dikush mendon se duhet të merremi me Pozitën! Kjo në fakt është e kotë dhe nuk na sjell asgjë të re! Është sikur të kritikonin shqiptarët Enver Hoxhën ose Ramiz Alinë pse nuk hapnin sistemin dhe pse nuk e demokratizonin atë, kur në fakt e kishin shkruar në Kushtetutë “Diktatura e Proletariatit”.

Të gjithë e dinin se Enver Hoxha dhe Ramiz Alia nuk mund të ishin ndryshe e nuk mund të tjetërsoheshin! Shpresa e vetme e shqiptarëve në fillim të viteve ’90 ishte ngritja e qytetarëve për më shumë liri, dhe kjo ndodhi! E dini pse ndodhi? Sepse atëherë kishte shpresë se diçka më e mirë do të vinte, pasi e keqja kishte arritur maksimumin!

Pse nuk ndodh tani? Sepse kjo Opozitë e provuar disa herë, për fat të keq, nuk ngjall shpresë!

Mungesa e shpresës dhe zhgënjimi i madh e i vazhdueshëm i ka bërë qytetarët të pafuqishëm ndaj politikës dhe, për fat të keq, kanë ndjekur rrugën e braktisjes dhe të largimit!

Duhet të merremi me Opozitën derisa ajo të kthehet në lartësinë e misionit të saj të vërtetë për të qenë alternativë qeverisëse!

Koha duket sikur ka kaluar me shpejtësi, dhe ndoshta ata të lindur pas vitit 2000 as nuk i kujtojnë protestat e dimrit 1998! Ishin kohë të vështira: Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit në darkë nuk kishte drita, nuk kishte ndriçim në rrugë e as zbukurime për festat, rrugët ishin me baltë e gropa, shqiptarët ishin të veshur në shumicë me rroba të përdorura, por çdo mbrëmje PD-ja e asaj kohe niste marshimin nga qendra drejt Kryeministrisë! Thirrjet ishin monotone dhe të përdorura: “Nano ik”, “Liri, Demokraci”, “Sali Berisha, Sali Berisha”!

Nuk e di pse më ngjau protesta e sotme me atë atmosferë që unë e kam përjetuar si adoleshent! Në fakt, që atëherë mendoja si të largohesha nga Shqipëria, dhe bashkë me mua u larguan në vazhdimësi shumë të tjerë, edhe në kohën kur Berisha erdhi në pushtet dhe kur tha se do të largohej nga pushteti!

Më erdhën në mendje protestat e mbrëmjeve të ftohta e pa drita të dimrit 1998, sepse nga kronikat që pashë kuptova se në shesh ishin shumica e atyre që e shoqëronin në atë kohë Berishën, sigurisht tani më të moshuar, të lodhur dhe të veshur përsëri me rroba të përdorura! Koha për ta dukej sikur s’ka lëvizur, sepse në psikozën e tyre jetojnë në të njëjtin dimension me atë të vitit 1998, me dallimin se atëherë ishte i ndjeri Nano dhe sot përballë kanë Ramën, dhe ndërkohë në krah të tyre është gjithmonë Berisha, edhe pse me ca vite më shumë e me situata të tjera!

Atëherë Berisha konsiderohej hero, sepse i kishte mbijetuar ’97-s dhe kishte moralin e lartë për të vazhduar betejën e tij! Ndërsa sot shumica nuk e dinë se çfarë beteje reale ka dhe për çfarë po e bën!

Çfarë zhgënjimi i shoqëruan e mbështetën atë me varfëri, erdhi në pushtet, iku, e tani përsëri do të rikthehet, por ata janë përsëri në varfëri! Sigurisht duke përjashtuar ata që janë rrethi i tij i ngushtë, që përfituan sa deshën dhe u shpërblyen me pushtet dhe privilegje!

Aq origjinalë dhe të pandryshuar në kohë mu dukën protestuesit sonte, sa jam i sigurt që nëse i pyes çfarë viti presin të festojnë, do të përgjigjen se: “Po presim Vitin e Ri 1998!” Koha për ta, siç duket, është ndalur mes iluzioneve, nostalgjisë dhe dëshpërimit të kthyer në monotoni!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME