Përurohet rruga Gorozhup-Pogaj, projekt i marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesin e detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, prefektin e Qarkut Kukës, Dritan Baji, kryetarin e Bashkisë Has, Miftar Dauti, deputetë të dy kuvendeve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, përuruan sot rrugën ndërkufitare Gorozhup (Has të Prizrenit)-Pogaj, projekt ky në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Me këtë rast, Kurti tha se përurimi i kësaj rruge është tejet i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, por edhe për turizmin malor e kulturor, të dy vendeve, si një arterie vendimtare për qarkullimin e lirë, për shkëmbimet të cilat do të jenë gjithnjë e më të mëdha, transmeton KosovaPress.

“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot, e cila ishte me vlerë prej 2.6 milionë euro, kjo rrugë, Gorozhup-Pogaj është në vlerë prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3.7 kilometra.

Rruga e përuruar sot lidh fshatrat Gorozhup edhe Pogaj, që historikisht kanë qenë një dhe të cilat i bashkojnë familja, tradita dhe jeta e përditshme.

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u shpreh se para dy vitesh është nënshkruar protokolli i marrëveshjeve për tri rrugë, rrugën Kërstec-Pakishtë-Zapot, e një rëndësie të veçantë, këtë rrugë të cilën po e përurojmë sot që i ka ndarë padrejtësisht banorët prej shumë e shumë kohësh, dhe rrugën Dobrunë-Blinishtë, e cila ka qenë pjesë e kësaj marrëveshje.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të vazhdojë bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë edhe për shumë projekte të tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë zonë. Me këtë rast, ai përmendi se një prej projekteve më të rëndësishme është vazhdimi i kësaj rruge prej Pogaj në Kishaj, pastaj Kishaj-Cahan, dhe nga Cahani në Krumë.

Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, tha se në këtë ditë solemne duke inauguruar këtë rrugë, hapet një kapitull i ri në dobi të kombit. Ai theksoi se rruga Gorozhup-Pogaj është më shumë sesa asfalt apo gurë, është një urë që lidh dy fshatra, dy treva, dy anë të një kombi, dhe se ky investim është testament i lidhjes sonë historike dhe shpirtërore, lidhje që ka mbijetuar në shekuj.

Kryetari i bashkisë Has, Miftar Dauti, falënderoi kryeministrin Kurti për punën e bërë, duke thënë se sot Hasi ka plotësuar ëndrrën disavjeçare, bashkimin e trojeve hasjane.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Zgjedhjet në Kosovë, Bashkimi Europian: Presim tranzicion të rregullt të pushtetit

Bashkimi Europian e përshëndeti rrjedhjen e qetë të procesit...

Balluku: Rrjeti i ri 20 kV në Velipojë, më shumë siguri energjetike për banorët dhe turistët

Velipoja është shndërruar në një qendër të rëndësishme ekonomike...