Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën shtyu për të martën mbledhjen për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e 29 deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Mbledhja u shty pas kërkesës së kryetarit të grupit të PD-së, Gazment Bardhit, i cili kërkoi kohë që deputetëve t’u lihet kohë që të njohën me provat që mazhoranca ka paraqitur për përjashtimin e tyre.
“Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohet i përgjegjshëm. Të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqesin fakte. Të mos vijnë këtu dhe të akuzojnë me terma të Sigurimit të Shtetit”, u shpreh Bardhi.
Sipas tij, në kërkesën për përjashtim janë përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend.
“Keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Thojeni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 9. Kështu që propozoj të shtyhet mbledhja për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat”, tha Bardhi.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste depozitoi dje në Kuvend kërkesën për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, pas incidenteve të rënda të ndodhura gjatë seancës plenare në Kuvend.

