Partia Demokratike deklaroi mbrëmjen e 10 shkurtit se në spitalin e Traumës nuk ka asnjë punonjës policie të plagosur, duke i cilësuar njoftimet e policisë së Shtetit si “mashtrim me qëllim manipulimin e opinionit publik”.
“Zyrat e propagandës së narkopolicisë së gazit dhe të dhunës, thonë se 14 policë janë plagosur, si pasojë e dhunës në protestë. E vërteta është krejt ndryshe. Në urgjencën e Spitalit të Traumës, ku gjendet i plagosur dhe nën kujdes mjekësor deputeti demokrat Bledjon Nallbati, nuk ka asnjë oficer policie”, njoftoi PD.
Sipas PD-së nga raportimet në rrugë operative “në këtë Urgjencë janë paraqitur pesë oficerë policie të cilët janë përcjellë nga personeli, duke qenë se nuk kanë pasur as plagë dhe as shqetësime që kërkojnë trajtim mjekësor”.
PD njoftoi më tej se “burime nga Spitali i Traumës, bëjnë me dije se paraqitja e tyre është bërë me urdhër të narkokomisarëve të Policisë me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe për të mbuluar dhunuesit dhe të dhunuarit e vërtetë të protestës së sotme”.
Gjithashtu, Partia Demokratike “dënon të gjitha aktet e dhunës ndaj qytetarëve të pafajshëm dhe përfaqësuesve politikë, dhe u bën thirrje policëve të thjeshtë të mos zbatojnë urdhrat e narkokomisarëve”.

