Pas takimit me kreun e ri të Kuvendit, Niko Peleshi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, foli përpara mediave, duke kritikuar ndarjen e re të komisioneve parlamentare.
Bardhi tha se procedura e ndjekur për ndryshimin e komisioneve është në shkelje me rregulloren, duke theksuar se draftpropozimi nuk mund të cohet në seancë për shqyrtim në më pak se 24 orë. Ai nënvizoi se me formulën e re, nga 3 komisione që drejtonte opozita më parë, tani PD-ja do të ketë vetëm një komision e gjysmë. Sipas tij, heqja e Komisionit të Integrimit është një precedent i paprecedentë.
Kreu i PD-së shtoi se grupi i tij i ka kërkuar Kuvendit të bëjë një studim për organizimin e komisioneve parlamentare në vendet e rajonit dhe disa vende anëtare të BE-së. Ai theksoi se në të gjitha vendet e Ballkanit ekziston një komision për punët e jashtme dhe një për integrimin, ndërsa Shqipëria bëhet vendi i parë që përjashton opozitën nga komisioni i Integrimit. Bardhi nënvizoi gjithashtu se ndryshimet në rregullore duhet të ndjekin të njëjtën procedurë si shqyrtimi i projektligjit dhe nuk mund të bëhen brenda 24 orësh.