Partia Demokratike ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për krijimin e një strukture të jashtëligjshme përmes të ashtuquajturës “ministre virtuale” Diella. Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, tha në një deklaratë për mediat se ky është një mekanizëm informal, i ngritur për të anashkaluar ligjin dhe përqendruar kontrollin e prokurimeve publike në një dorë të vetme.
Sipas Vangjelit, koncepti i një ministri virtual nuk ekziston në asnjë nen të Kushtetutës apo ligjeve shqiptare, çka e bën këtë nismë të paligjshme dhe pa përgjegjësi institucionale. Ajo ngriti pyetje mbi mbikëqyrjen e këtij entiteti: “Kush e kontrollon Diellën? Kush mban përgjegjësi në rast shkeljesh ligjore apo dëmesh ndaj financave publike?”.
Opozita akuzon Ramën se përmes kësaj strukture po synon të ushtrojë kontroll absolut mbi fondet publike, duke zëvendësuar procedurat ligjore dhe institucionale me një entitet të paidentifikuar. “Ky mekanizëm nuk garanton transparencë apo mbrojtje ndaj keqpërdorimit, por përkundrazi i hap rrugën abuzimit pa asnjë llogaridhënie”, theksoi Vangjeli.