Pas dy javëve me rezultate jo pozitive, Elbasani kërkon të kthehet te suksesi në sfidën me Vorën. Ish-mbrojtësi verdheblu Mardian Kacollja beson se skuadra do reagojë dhe se pushimi i shkurtër ka ndikuar pozitivisht.
“Ky pushim erdhi në momentin e duhur. Skuadra kishte nevojë për qetësi dhe për të rikuperuar disa lojtarë me probleme fizike. Jam i bindur se Elbasani do kthehet më i freskët dhe më i motivuar”, – u shpreh Kacollja për “Panorama Sport”.
DËMTIMET – NJË PENGESË, POR JO JUSTIFIKIM
“Mungesat kanë ndikuar, sidomos ato të titullarëve. Por grupi i Elbasanit ka karakter dhe nuk dorëzohet lehtë. Humbja me Vllazninë ishte thjesht një ditë jo, jo tregues i vlerës reale të skuadrës.”
SFIDA ME VORËN
“Vora është një skuadër që di të vërë në vështirësi çdo kundërshtar, por në Elbasan nuk duhet menduar tjetër rezultat përveç fitores. Duhet të jemi agresivë, të bëjmë lojën tonë dhe të përfitojmë nga mbështetja e tifozëve që gjithmonë japin energji shtesë”, – thekson ish-mbrojtësi.
OBJEKTIVI – FINAL 4
“Final 4 është një objektiv real. Kampionati është i gjatë dhe nuk ka arsye për presion. Mjafton të ruajmë stabilitetin dhe të jemi gjithmonë pranë vendeve të para, sepse diferencat do t’i bëjë fundi”, – përfundoi Kacollja.