Partia Socialiste dhe deinstitucionalizimi: kur lideri vendos gjithçka

Nga Adri Nurellari 

Na ishte njëherë një këshilltar i mbretërve asirianë, Ahiqari, i cili thuhet se u tradhtua nga biri i tij i birësuar, Nadani. Kur ky i fundit iu lut për falje, Ahiqari iu përgjigj: “Unë ndihem me ty si pema që i dha bishtin sëpatës, e cila më pas e preu”. Kjo fabul e lashtë e Lindjes së Mesme ilustron në mënyrë të përshtatshme realitetin e socialistëve sot. Dikur ata ngritën Edi Ramën në pushtet dhe i dhanë atij fuqi absolute, ndërsa sot po e pësojnë prej tehut të nismave apo kapriçove të tij. Këtë realitet të hidhur e dëshmoi më së miri asambleja e fundit e Partisë Socialiste, e cila preu pothuajse gjysmën e qeverisë, duke shkarkuar 8 ministra me një të rënë të lapsit. Lista e emrave të qeverisë që ra si rrufe mbi pjesëmarrësit, nuk ishte fryt i një procesi të brendshëm transparent, as nuk ishte rezultat i një miratimi kolegjial, por erdhi ekskluzivisht nga vullneti i vetëm i kryeministrit, i cili e shpalli aty për aty, para një salle që vetëm gëlltiti e duartrokiti. Dhe ironia më e madhe është se edhe vetë ministrat e rinj e mësuan emërimin e tyre në atë çast, si spektatorë të një shfaqjeje ku ata papritur dilnin protagonistë.

Asambleja nuk ishte forum, ishte skenë; socialistët nuk ishin delegatë, ishin publik, vendimmarrja nuk ishte kolegjiale, ishte monolog. Në vende me demokraci e parti normale, një asamble e madhe ku hiqen ose vihen gjysma e ministrave do të shkaktonte stuhi debatesh, mocione, votime, madje edhe kriza lidershipi. Në Shqipëri, mjaftoi një fjalim i vetëm dhe të gjithë ulën kokën. Partia nuk është më institucion, por një sallë pritjeje ku njerëzit mësojnë fatin e tyre si në një reality show politik, ku banorët e mësojnë fatin e tyre nga letra e dërguar prej “Vëllait të Madh”. Një tjetër manifestim akoma më i fortë i fabulës së Ahiqarit është ai që ndodhi me kryetarët e bashkive, të cilët u bënë gjithashtu druri i sëpatës që i preu.

Kryeministri urdhëroi publikisht kryetarët e bashkive të shkarkojnë drejtues lokalë jo sepse nuk gëzojnë më besimin e qytetarëve, por sepse kështu ka vendosur qendra. Ky është kulmi i deinstitucionalizimit: përfaqësuesit lokalë nuk janë më individë votuar që marrin përgjegjësi para qytetarëve, por zbatues urdhrash që mbajnë vulën vetëm për të noterizuar vendime të sjella nga lartë. Nuk janë më bashki, por janë kthyer në “komitete ekzekutive”, si në kohën e monizmit, që zbatojnë pa mëdyshje urdhrat e udhëheqjes. Kryetarët që dikur mbaheshin si figurat më të forta të PSsë në terren, sot shiritin e kuq nuk e mbajnë më si simbol të mandatit qytetar, por si një dekor që fsheh faktin se pushteti i tyre nuk vjen nga populli, por nga sëpata e udhëheqësit. Qoftë asambleja farsë, qoftë urdhri i pakontestuar ndaj qeveritarëve lokalë, janë simbole demonstruese të zhveshjes totale të Partisë Socialiste nga çdo funksion institucional. Në çdo manual të shkencave politike, kjo do quhet deinstitucionalizim: kur një parti nuk ka më rregulla, procedura dhe mekanizma, por ekziston vetëm si fasadë e liderit. Siç thekson një ndër ekspertët më të shquar të partive politike, Angelo Panebianco, një parti është e institucionalizuar kur karriera politike bëhet e parashikueshme, rregullat e brendshme janë të respektuara dhe forumet marrin vendime kolegjiale. Randall dhe Svasand argumentojnë se “një parti politike është e institucionalizuar kur zhvillon rregulla dhe struktura të qëndrueshme, tregon aftësi përshtatjeje, rrënjoset në shoqëri dhe fiton vlerë përtej interesave të liderëve të saj”. Ndërsa politologu Juan Linz thekson se: “Institucionalizimi i partive është vendimtar për konsolidimin demokratik; pa parti të institucionalizuara, politika bëhet e personalizuar, e paqëndrueshme dhe e cenueshme nga prirjet autoritare”. Në rastin tonë, procesi i deinstitucionalizimit të Partisë Socialiste shihet qartë. Karriera politike nuk është më e parashikueshme: nuk ngrihesh duke kaluar nëpër forumet e rinisë, organizatën e gruas apo duke u dalluar si deputet aktiv, çdo ngjitje varet vetëm nga bekimi i kryetarit. Meritokracia është zhdukur sepse nuk vlerësohen aftësitë, por besnikëria dhe të gjithë e dinë se postet mbahen për shkak të dëshirës së një njeriu të vetëm. Pluralizmi i brendshëm është shuar: asambletë nuk janë më forume ku përplasen ide, por shfaqje të orkestruara miratimi me duartrokitje, ndërsa vendimmarrja është e centralizuar vetëm tek lideri. Dhe mbi të gjitha, praktikat e brendshme janë braktisur: nuk ka më gara reale për drejtues, nuk ka votime me rezultat të pasigurt, nuk ka diskutime për programin. Ky është një shembull klasik i asaj që Levitsky dhe Murillo e quajnë deinstitucionalizim, kur rregullat zëvendësohen nga arbitrariteti dhe strukturat nga individi. Ironia është se Partia Socialiste, ndryshe nga sot, ka qenë dikur partia më e institucionalizuar në Shqipëri. Ajo e trashëgoi nga Partia e Punës një aparat burokratik të ngurtë, me mijëra kuadro e zyrtarë të mësuar me rregull, hierarki dhe procedura. Në fillim të pluralizmit, kjo trashëgimi burokratike e bëri PS-në partinë më të organizuar, me struktura më të qëndrueshme dhe me bazën më të gjerë territoriale. Në fillim të viteve 2000, PS kishte pluralizëm të brendshëm real: klane të konsoliduara, figura të forta rajonale dhe një arenë të brendshme, ku debatet shpesh ishin të ashpra e reale. Atëherë funksiononin ende forume si Këshilli i Përgjithshëm Drejtues (KPD) dhe Asambleja Kombëtare, të cilat nuk ishin fasadë, por hapësira ku përplaseshin ide dhe fraksione.

Debatet e famshme (si ai midis Fatos Nanos dhe Ilir Metës për drejtimin e partisë dhe të qeverisë) tregojnë se PS kishte një farë kulture gare dhe rotacioni të brendshëm. Një nga momentet më domethënëse të institucionalizimit të Partisë Socialiste ishte padyshimi largimi i Fatos Nanos. Për më shumë se një dekadë, Nano ishte lideri karizmatik dhe autoritar i PS-së, por largimi i tij pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005 dhe zëvendësimi me Edi Ramën nuk ndodhi përmes dekretit personal, por si një proces i brendshëm partiak. Ky ishte një akt që dëshmoi se partia ende funksiononte si institucion, ku lidershipi mund të sfidohej dhe të ndryshohej. Debatet e brendshme të asaj kohe nuk ishin formalitete. Grupimi “Për Mendimin Ndryshe” ishte një forum i konsoliduar, ku figura si Arben Malaj apo Ben Blushi artikuluan kritika të hapura ndaj linjës së drejtimit. Në shtyp u botuan artikuj, replika, analiza, dhe për herë të parë pas shumë vitesh, një parti shqiptare tregoi se kishte hapësirë reale për opozitë të brendshme. Ky fenomen tregoi se PS kishte ende vitalitet organizativ dhe kulturë pluralizmi të brendshëm. Ishte një parti ku klanet e ndryshme, pavarësisht përplasjeve, kishin hapësirë të shprehnin zëra kritikë dhe të artikulonin alternativa. Në kontrast, sot PS është një parti pa “Mendim Ndryshe”. Nuk ka më grupe të brendshme të konsoliduara, nuk ka më artikuj kritikë nga brenda që shihen si pjesë e lojës demokratike; çdo kritikë e brendshme ndëshkohet me përjashtim, heshtje apo margjinalizim.

Nga një parti që tregoi se dinte të zëvendësonte liderin e saj, është bërë një parti ku lideri është i pasfidueshëm. Është e rëndësishme të sqaroj se shqetësimi im nuk vjen nga pozicioni i një socialisti të zhgënjyer – nuk kam qenë kurrë i angazhuar apo votues i Partisë Socialiste. Çështja nuk ka të bëjë me orientimin apo fatin e një partie të vetme. Shqetësimi im është më i madh: është degradimi i sistemit partiak shqiptar në tërësi. Kur një parti e madhe si PS, me historinë dhe peshën e saj, e paguar nga taksat tona, shndërrohet në një aparat të personalizuar pa forume, pa debat, pa meritokraci, kjo nuk është thjesht humbje për militantët e saj – është regres për gjithë vendin. Këtu flasim për një forcë që qeveris, që paguhet nga taksat tona dhe që ushtron pushtet mbi jetën e qytetarëve. Dhe kur ky pushtet është degraduar në këtë pikë, regresi nuk është më partiak, por sistemik. Fatkeqësisht, partitë e tjera janë njësoj, për të mos thënë më keq dhe në këtë realitet, demokracia shqiptare është e cunguar. Zgjedhjet mbahen, por garojnë liderë pa parti dhe parti pa institucione të brendshme. Tashmë kemi hyrë në realitetin e “demokracisë pa parti, partive pa demokraci”, ku qytetarët nuk votojnë programe, por emra; anëtarët nuk bëjnë karrierë, por bëjnë shërbim; forumet nuk vendosin, por vetëm duartrokasin. Ky është realiteti ynë politik: parti që s’janë institucione, por vegla dhe liderë që nuk ushqejnë pemën e demokracisë, por mprehin sëpatën./ Gazeta Panorama

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Operacion blic në Elbasan: Arrestohen eksponentë të njohur të botës së krimit

Një operacion i befasishëm i policisë është zhvilluar gjatë...

Elbasani, qarku i parë në Shqipëri që ndalon përdorimin e monopatinave elektrike – masa të reja për sigurinë rrugore

Përdorimi i monopatinave elektrike tashmë është zyrtarisht i ndaluar...