Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin individual apo kolektiv të formësohet në organizma shoqërorë, siç janë partitë politike.
Aktivizmi në vetvete është zgjim i vazhdueshëm i vetëdijes qytetare, sociale dhe politike për të marrë më shumë përgjegjësi, përtej interesave të momentit e përtej egos vetjake. Kjo qasje përcjell më shumë besim te të tjerët, që nuk kanë zgjedhur të jenë aktivistë të partive politike.
Ky mision duhet të matet me mënyra të qarta. Suksesi nuk është vetëm shifra, por cilësia. Kur realizohet objektivisht mirë kjo e dyta, kthehet në efekt pozitiv edhe për të parën.
Fenomeni i shmangies së garës tenton të largojë ballafaqimet e hapura, që janë në fakt nevojë dhe pritshmëri normale. Në vend të debatit të drejtpërdrejtë dhe konkurrencës së ideve, shpesh dominon hezitimi për t’u përballur me qytetarët dhe tendenca për të shmangur përgjegjësinë publike.
Kjo gjendje rrezikon të ngadalësojë progresin, ndërkohë që shoqëria ka nevojë për transparencë, guxim dhe përplasje konstruktive mendimesh, për të ecur përpara e prodhuar alternativa zhvillimi.
Iniciativa për t’iu dhënë zë nevojave dhe pritshmërive në rritje krijon një moment të ri, të mirepritur e shpresëdhënës. Edhe për vetë forcën politike. Ky është dhe roli që duhet të luajë një aktivist politik, si shprehje e nevojës për ndryshim e progres që ka gjithmonë shoqëria.
Nuk është e thjeshtë t’iu besosh kauzave të partive politike, sidomos në periudha gjeopolitike të tensionuara. Aq më shumë vështirësohet kjo, kur artikuluesit e tyre janë të konsumuar edhe përballë aktivistëve e jo më qytetarëve joaktivistë.
Partia Socialiste pranohet gjerësisht si forca më progresiste në vend. Megjithatë, kjo nuk mjafton për të garantuar që ky “status” të ruhet edhe në të ardhmen. Që kjo të ndodhë duhet kurajo vetëreformuese. Jo thjesht në emra, por në mendësi e sjellje të emancipuara.
Qëndrueshmëria në shërbim të së mirës së përbashkët varet nga aftësia për të përfshirë individë që kanë edhe portret politik, dhe që të vërtetat e kohës i artikulojnë me zemër dhe mendje të hapur. Gjithmonë me njerëzit dhe për njerëzit. Ndryshe stagnacioni i zë vendin progresit, vetëkënaqësia gjykimit racional, servilizmi katakterit dhe hipokrizia të mirës.
Shumica e qytetarëve nuk janë aktivistë, por ata me siguri janë vëzhgues vigjilentë.

