Numri i të papunëve në Gjermani u rrit në gusht në 3,025 milionë, duke kaluar për herë të parë kufirin e tre milionëve në më shumë se një dekadë. Krahasuar me korrikun, të papunët janë 46,000 më shumë, ndërsa krahasuar me gushtin e vitit 2024, rritja është 153,000, sipas Agjencisë Federale të Punësimit në Nuremberg. Shkalla e papunësisë arriti në 6,4%, rritje me 0,1 pikë përqindjeje.
Drejtuesja e Agjencisë, Andrea Nahles, thekson se tregu i punës është ende i karakterizuar nga stanjacioni ekonomik, megjithatë shfaqen shenja të para stabilizimi. Numri i të papunëve zakonisht rritet gjatë verës për shkak të punësimeve të kufizuara para pushimeve vjetore, por shifrat e gushtit janë më të larta se çdo vit tjetër në 15 vitet e fundit.
Rainer Dulger, president i Konfederatës së Shoqatave të Punëdhënësve Gjermanë, paralajmëron se situata është pasojë e mungesës së reformave dhe kërkon një valë të re ndryshimesh në vjeshtë.
Shkalla e papunësisë ndryshon ndjeshëm sipas landeve: Bremen (11,8%) dhe Berlin (10,5%) regjistrojnë nivele shumë të larta, ndërsa Bavari (4,2%) dhe Baden-Württemberg (4,7%) mbeten të ulëta.
Instituti për Kërkime të Tregut të Punës dhe Profesioneve (IAB) shfaq shenja të përmirësimit. Anketa e tyre tregon pritje për stabilizim dhe rikthim të rritjes së punësimit gjatë muajve të ardhshëm. Clemens Fuest, president i Institutit Ifo, rekomandon qeverisë të miratojë kundërmasa dhe reforma strukturore për të stimuluar investime private dhe krijimin e vendeve të reja pune.