Operatori i Shpërndarjes Elektrike (OSHEE) ka prezantuar projektin e ri “OSHEE Charge”, një stacion inovativ për karikimin e automjeteve elektrike, i cili do të ndërtohet në hyrje të Unazës Lindore të Tiranës. Projekti u prezantua nga zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në praninë e kryeministrit Edi Rama.
Stacioni i ri do të ofrojë 10 kulla karikimi “fast charger”, të mbuluara me panele fotovoltaike, ku mund të karikohen 20 makina në pak minuta. Gjithashtu, zona e stacionit është e dizajnuar si një vend rekreacioni, me hapësira për familje dhe të rinj, duke kthyer pritjen për karikimin e makinës në një eksperiencë të re. Balluku njoftoi se brenda Tiranës do të ngrihen edhe 3 pika të tjera të ngjashme.
Në kuadër të rregullimit të tregut të energjisë për automjetet elektrike, nga 1 nëntori kompanitë private do të blejnë energjinë për 22 lekë/kWh, në vend të 14 lekëve më parë, për të siguruar një konkurrencë të ndershme dhe për të nxitur rritjen e flotës elektrike. Balluku theksoi se konsumatorët familjarë do të kenë mundësi të karikojnë makinat pranë banesave me të njëjtin çmim që paguajnë për energjinë shtëpiake.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi projektin si një hap të rëndësishëm për zgjerimin e përdorimit të automjeteve elektrike dhe për rregullimin e tregut. Ai njoftoi gjithashtu indeksimin e pagave me 6.1% për 6,800 punonjës të OSHEE-së, duke përfshirë elektricistët dhe inxhinierët elektrikë. Nga viti i ardhshëm do të nisë gjithashtu vendosja e matësve inteligjentë të energjisë, që do të përmirësojë shërbimin dhe do të ulë humbjet në rrjet.



