Tre emra janë diskutuar nga grupi negociator i Partisë Demokratike dhe partive të tjera opozitare për kandidatin e përbashkët në zgjedhjet e pjesshme për Tiranën.
Janë propozuar tre kandidatë që vijnë nga shoqëria civile: Edlira Çepani, Ermal Hasimja dhe Florian Haçkaj. Megjithatë, deri më tani nuk është arritur dakordësi për asnjërin prej tyre dhe negociatat do të vijojnë mes palëve.
E vetmja gjë për të cilën partitë opozitare janë në përputhje është që kandidati për Tiranën nuk do të vijë nga radhët e forcave politike.
Pas takimit të sotëm me përfaqësuesit e Partisë Mundësia, Belind Këlliçi deklaroi se opozita është e unifikuar mbi idenë për të dalë në garë me një kandidat të vetëm përballë Ogerta Manastirliut. Ai tha:
“Kemi dakordësuar që na duhet një kandidaturë e unifikuar e spektrit opozitar. Të gjitha forcat politike kanë konsensus për të dalë me një emër që mund të përballojë kandidaten që simbolizon covidin dhe vdekjen. Për teknikalitetet kemi diskutuar emra të përveçëm, por jemi rakorduar mbi profilin që duhet të ketë kandidati.”
Ndërkohë, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, theksoi se është e rëndësishme që nga këto negociata, opozita të dalë me një kandidat të përbashkët, një personazh me integritet dhe i distancuar nga çdo akuzë.