Nga Fatmir Popja
Zgjedhjet e parakohshme të 9 nëntorit 2025 pritet të ndezin garën politike në gjashtë bashki të vendit, ndër të cilat Cërriku spikat për vëmendjen që po tërheq, sidomos për shkak të ngërçit që ka kapluar opozitën e djathtë në këtë bashki. Pas dorëheqjes së kryebashkiakut Andis Salla, tashmë ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, gara për të parin e qytetit ka hyrë në një fazë të re, por jo pa dilema për palën opozitare.
Në Cërrik, mungesa e një emri të konfirmuar nga opozita ka shkaktuar konfuzion dhe pakënaqësi në radhët e strukturave lokale. Deri më tani asnjë forcë opozitare nuk ka dalë me një kandidat zyrtar, ndonëse koha është e kufizuar dhe fushata de facto ka nisur në shumë prej bashkive ku do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme. Megjithatë, në qarqet politike lokale, emri i peshëngritësit të njohur, kampionit të botës, Briken Calja, përmendet gjithnjë e më shpesh si një alternativë serioze për drejtimin e bashkisë. Kampioni i botës në peshëngritje dhe një prej sportistëve më të vlerësuar të Shqipërisë, Calja gëzon një reputacion të jashtëzakonshëm në komunitetin e tij dhe përfaqëson një figurë të pastër e të admiruar, larg përplasjes klasike politike.
Burime të afërta dhe të besueshme me grupet vendimmarrëse të opozitës lokale në Cërrik bëjnë me dije se emri i peshëngritësit Briken Calja është diskutuar në disa tryeza, megjithëse vetë sportisti nuk ka dalë publikisht me një qëndrim për përfshirjen e mundshme në politikë. Mbështetësit e kësaj ideje shpresojnë se prania e tij në garë do të krijonte një moment të mirë riorganizimi për opozitën në zonë dhe do të ndihmonte në ringritjen e saj pas disa ciklesh zgjedhorë me rezultate të dobëta.
Nga ana tjetër, disa zëra brenda së djathtës shprehen skeptikë për përfshirjen e një figure jashtë sistemit politik dhe druajnë se një kandidaturë e tillë, sado e njohur, mund të mos ketë peshën e duhur elektorale për të përballuar makinerinë elektorale të mazhorancës.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, firmosi këtë të mërkurë dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat. Në qarkun e Elbasanit është pikërisht bashkia e Cërrikut e vetmja që do të përfshihet në këtë proces elektoral, pas dorëheqjes së Andis Sallës për të marrë drejtimin e dikasterit të bujqësisë.
Ndërsa afati për regjistrimin e kandidatëve po afron me shpejtësi, mbetet për t’u parë nëse opozita do të arrijë të konsolidohet rreth një kandidati të vetëm dhe, më e rëndësishmja, nëse Briken Calja do të vendosë të ndërmarrë një hap të madh nga sporti drejt politikës.