Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, një emër spikat mes të rinjve që po kontribuojnë në fuqizimin e zërit të vajzave shqiptare: Noemi Balla, maturante e gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan.

Noemi është shpallur debatuese më e mirë në Debatin Ekonomik Kombëtar, organizuar nga Junior Achievement Albania, ku morën pjesë 36 shkolla të mesme nga e gjithë Shqipëria. Konkursi, i zhvilluar në Piramidën e Tiranës, përfshiu mbi 180 nxënës dhe synonte zhvillimin e aftësive të komunikimit, argumentimit dhe punës në grup.

Me një performancë të spikatur, Noemi u vlerësua për qartësinë e mendimit, etikën e lartë dhe vetëbesimin, duke përfaqësuar me dinjitet jo vetëm gjimnazin e saj, por edhe qytetin e Elbasanit.

Suksesi i saj nuk ndalet në skenën kombëtare. Ajo përfaqësoi Shqipërinë edhe në kompeticionin ndërkombëtar WSDA 2025 në Slloveni, ku tregoi se zëri i vajzave shqiptare mund të dëgjohet edhe përtej kufijve, kur pasioni bashkohet me dijen dhe përgatitjen.

Në një kohë kur nevoja për mendim kritik dhe dialog është më e rëndësishme se kurrë, Noemi Balla përfaqëson një brez të ri vajzash që sfidojnë, udhëheqin dhe frymëzojnë.
albaniaexpress.al

