Sonte, më 7 janar 2026, në orën 22:45, emisioni “Opinion” në TV Klan sjell për publikun shqiptar një dokumentar të jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë, një udhëtim ekskluziv në Malin e Shenjtë të Athosit, realizuar nga gazetari Blendi Fevziu dhe ekipi i tij, me mbështetjen e sipërmarrësit librazhdas në Greqi, Nikos (Dashnor) Gjura.
Për herë të parë në ekranin e një televizioni shqiptar transmetohet një dokumentar i këtij dimensioni nga Athosi, një shtet autonom manastiror, unik në botë, me një histori mbi 1000-vjeçare, i konsideruar si zemra shpirtërore e Krishterimit Orthodhoks. Një vend i shenjtë, i mbuluar nga misteri, tradita shekullore dhe rregulla të rrepta, ku jeta monastike vijon e pandryshuar prej kohërave bizantine.

Dokumentari, me një kohëzgjatje prej rreth 50 minutash, ndjek rrugëtimin nga Karyes, kryeqendra shpirtërore e Athosit, drejt manastireve madhështore, ku jetojnë dhe luten mijëra murgjër. Gazetari Blendi Fevziu është shoqëruar nga Nikos (Dashnor) Gjura, një sipërmarrës ky në Greqi nga Kuturmani i Librazhdit, si dhe nga At Theonas, një klerik i cili zbulon për publikun misteret, enigmat dhe simbolikën e këtij vendi të shenjtë, të panjohura për shumëkënd.

Në këtë udhëtim të rrallë, Fevziu shoqërohet edhe nga kolegu Elvi Fundo, si dhe nga Nikos (Dashnor) Gjura dhe Anastas Bahja, dy shqiptarë që jetojnë në Uranupoli, të cilët ndihmuan ekipin e “TV Klan” gjatë hyrjes dhe qëndrimit në Athos. Dokumentari hedh dritë edhe mbi lidhjen e shqiptarëve me Malin e Shenjtë, një dimension pak i njohur, por domethënës.

“Kam vizituar rreth 150 vende të botës, por nuk kisha parë kurrë një vend si Athosi”, shprehet Blendi Fevziu, duke e cilësuar këtë përvojë si një nga më të veçantat e karrierës së tij.
Mali Athos, i shpallur Trashëgimi Botërore e UNESCO-s në vitin 1988, ndodhet në gadishullin më lindor të Halkidikisë në Greqinë Veriore. Ai përbëhet nga 20 manastire kryesore, dhjetëra sketa dhe rreth 2 mijë murgjër, të cilët ruajnë me fanatizëm artin, dorëshkrimet, ikonat dhe traditat e lashta orthodhokse. Me ligj dhe traditë shekullore, hyrja e grave dhe vajzave është e ndaluar, ndërsa pelegrinët meshkuj lejohen vetëm me leje të posaçme (Diamonitirion).

Athosi mbetet një muze i gjallë i monasticizmit orthodhoks, një thesar shpirtëror dhe kulturor me vlerë universale, që ofron një përvojë unike pelegrinazhi, qetësie dhe reflektimi të thellë shpirtëror.

Dokumentari i Blendi Fevziut nga Mali i Shenjtë i Athosit nuk është thjesht një reportazh, por një dëshmi vizuale dhe shpirtërore nga një botë e rrallë, e mbyllur dhe misterioze, që sonte hap dyert për publikun shqiptar në “Opinion”.


