Sot nis faza e dytë e Kategorisë Superiore, me takime që pritet të sjellin më shumë intensitet dhe rivalitet, pasi skuadrat kërkojnë të pozicionohen sa më mirë për objektivat e tyre sezonale.
Ndeshja hapëse luhet në orën 14:00, ku Tirana pret në “Selman Stërmasi” ekipin e Bylisit. Vëmendja kryesore në këtë përballje është debutimi i trajnerit të ri bardheblu, Ardian Nuhiu, i cili synon të rikthejë stabilitetin dhe ritmin e skuadrës pas luhatjeve të fazës së parë. Tirana kërkon fitoren për t’iu larguar fundit, teksa edhe Bylisi do të luftojë për të marrë pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë.
Ndërkohë, në orën 17:00 zhvillohen dy sfida të tjera. Dinamo pret Teutën, në një duel mes dy skuadrave që kërkojnë të përmirësojnë formën dhe të qëndrojnë me zonat e sipërme të renditjes. Po në të njëjtin orar, Flamurtari përballet në Vlorë me Elbasanin, një takim me peshë për objektivat e sezonit, ku të dyja skuadrat synojnë të marrin maksimumin për të shmangur presionin e klasifikimit.
Faza e dytë pritet të jetë edhe më e fortë, me gara të ngushta si në krye ashtu edhe në pjesën e poshtme të tabelës, ku çdo pikë ka rëndësi të madhe.



