Nga Lutfi Dervishi
TIRANË, 13 tetor 2026 /Albania Express News/-Pas 135 ditësh proteste paqësore, dita e sotme shënoi një kthesë të fortë në protestën studentore. Ajo nisi me dhunë, duke ngritur pikëpyetje mbi ecurinë e mëtejshme të lëvizjes, reagimin e qeverisë dhe mënyrën se si policia menaxhoi situatën.
Ndryshe nga protestuesit e njohur si “Flamingot”, studentët e sotëm përballen me një Tiranë gjithnjë e më të shtrenjtë dhe me dilemën nëse ia vlen të qëndrojnë në vend. Kjo e bën protestën e tyre më pak të parashikueshme.
Për 135 ditë, protesta e përditshme u mbështet mbi një kontratë të pashkruar: mund të bëni gjithçka, por jo dhunë.
Qeveria vuri bast me kohën, duke llogaritur se protesta do të lodhej dhe numri i pjesëmarrësve do të binte. Pjesërisht, kjo strategji funksionoi. Numrat në shesh u pakësuan, por rënia e pjesëmarrjes nuk nënkupton domosdoshmërisht shuarjen e pakënaqësisë. Zhvillimet e sotme krijuan përshtypjen se një pjesë e protestuesve mund të kenë humbur besimin te efektiviteti i rrugës paqësore.
Sheshi është i njëjti me atë të tetë viteve më parë, por sot mungojnë memet dhe tetë kërkesat e protestës së dikurshme.
Në atë kohë, pas disa javësh protestash, qeveria shpalli Paktin për Universitetin. Sot, kërkesat kanë marrë një karakter politik, duke e ngushtuar hapësirën për zgjidhje dhe kompromis.
Një element që meriton vëmendje të veçantë është ndërhyrja e policisë. Në vend që të ndihmonte në qetësimin e situatës, ndërhyrja e sotme duket se kontribuoi në përshkallëzimin e saj. Vezët dhe gurët sollën gazin lotsjellës, ndërsa gazi u pasua nga gurë të tjerë. Përplasja mori kështu një dinamikë që mund të bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u kontrolluar.
Përvoja e Francës ofron një shembull që ia vlen të shqyrtohet. Edhe në protesta të shoqëruara me dëme të mëdha materiale, policia franceze përdor, në varësi të rrethanave, taktika të menaxhimit të turmave që synojnë të shmangin përplasjet e menjëhershme dhe të dallojnë protestuesit paqësorë nga individët e dhunshëm.
Natyrisht, edhe ndërhyrjet e policisë franceze janë kritikuar shpesh për përdorim joproporcional të forcës. Megjithatë, parimi mbetet i njëjtë: reagimi ndaj dhunës duhet të jetë i nevojshëm, proporcional dhe i përqendruar te personat që e ushtrojnë atë, jo te e gjithë turma.
Suksesi i një ndërhyrjeje policore nuk matet vetëm me aftësinë për të zbrazur sheshin, por edhe me aftësinë për të parandaluar shndërrimin e një incidenti në një përplasje më të gjerë.
Një shesh mund të pastrohet brenda pak minutash, por zemërimi që mund të prodhojë një ndërhyrje e gabuar mund të zgjasë me ditë.
Nëse dhuna e sotme mbetet një episod i izoluar, qeveria mund ta përballojë pa shumë vështirësi. Por, nëse ajo përsëritet, ndërhyrja e policisë perceptohet si joproporcionale dhe protestës i bashkohen studentë nga universitete të tjera, pedagogë e prindër, situata mund të marrë një tjetër drejtim.
Protesta mund të zgjerohet, duke krijuar një spirale dhune që del jashtë kontrollit, edhe nëse askush nuk e ka synuar apo planifikuar një skenar të tillë.
Qeveria sapo provoi se i ka 85 votat në Kuvend. Por votat parlamentare dhe legjitimiteti shoqëror nuk janë e njëjta gjë. Do të ishte një lexim i paplotë i situatës që protesta të shihej vetëm përmes gurëve dhe xhamave të thyer.
Policia mund t’i largojë protestuesit nga sheshi me ujëhedhës, por nuk mund ta shuajë pakënaqësinë që i ka nxjerrë ata në protestë.
Nëse protesta vazhdon dhe dhuna përsëritet, atëherë Shqipëria mund të përballet me një zhvillim më të gjerë: nga një krizë e rendit publik, drejt një krize politike.

