Nga Elbasani në elitën e mjekësisë shqiptare ,Zheni Gjergji , gradohet me titullin “Profesor”, rrugëtimi frymëzues i nefrologes me mbi 70 studime shkencore dhe dekada në shërbim të pacientëve

TIRANË,24 maj 2026/Albania Express News/Një rrugëtim i gjatë profesional, i mbushur me sakrifica, përkushtim dhe arritje shkencore, mori një tjetër vulë prestigji për një nga figurat më të njohura të mjekësisë shqiptare. Drejtoresha e Spitali Rajonal Elbasan, Zheni Gjergji, ka ndarë me emocion në rrjetet sociale momentin e fitimit të titullit të lartë akademik “Profesor”, një vlerësim që e rendit mes personaliteteve më të spikatura të mjekësisë dhe kërkimit shkencor në vend.

Në postimin e saj publik në Facebook, Prof. Dr. Zheni Gjergji shprehet se më 26 mars 2026, në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, ajo pati nderin të fitojë titullin “Profesor”, duke e konsideruar këtë si kurorëzim të viteve të tëra pune, studimi dhe përkushtimi ndaj pacientëve dhe edukimit universitar.

“Ky sukses nuk është vetëm i imi, por i të gjithë atyre që më kanë mbështetur ndër vite ,familjes sime, kolegëve, studentëve dhe bashkëpunëtorëve të mi”, shkruan ajo mes emocionesh, ndërsa falënderon në mënyrë të veçantë mentoret e saj, profesorët Margarita Gjata dhe Alma Idrizi, për mbështetjen akademike dhe profesionale gjatë këtij udhëtimi.

Karriera e Prof. Dr. Zheni Gjergjit përbën një nga historitë më të suksesshme të mjekësisë shqiptare në fushën e nefrologjisë. E diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ajo nisi rrugën e saj profesionale fillimisht si mjeke familjeje në Elbasan, për të vijuar më pas specializimin në nefrologji dhe sëmundjet e brendshme.

Në vitin 2013 ajo fitoi titullin “Doktor i Shkencave Mjekësore” në nefrologji me një studim të fokusuar te faktorët e riskut kardiovaskular dhe rëndësia e modifikimit të tyre te pacientët me hemodializë, ndërsa në vitin 2016 mori titullin “Profesor i Asociuar” në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Përveç kontributit të saj si mjeke nefrologe për më shumë se dy dekada në Qendrën Spitalore “Dr. Xhaferr Kongoli” në Elbasan, ajo ka mbajtur edhe pozicione drejtuese si Shefe e Shërbimit të Patologjisë dhe Hemodializës, duke u bërë një nga figurat kyçe në zhvillimin e shërbimeve të nefrologjisë në rajon.

Paralelisht me angazhimin klinik, Prof. Dr.Zheni  Gjergji ka ndërtuar një karrierë të spikatur akademike. Ajo ka dhënë mësim në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, Universitetin e Sporteve, Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, si edhe në institucione të tjera universitare, duke kontribuar në formimin e brezave të rinj të mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë.

Një tjetër dimension i rëndësishëm i aktivitetit të saj është ai shkencor. Prof. Dr. Zheni Gjergji numëron mbi 70 artikuj dhe prezantime shkencore në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, të zhvilluara në vende si Franca, Italia, Greqia, Gjermania, Kroacia, Danimarka, Serbia dhe shumë shtete të tjera europiane. Studimet e saj janë fokusuar kryesisht në nefrologji, inflamacion, hipertension, sëmundje renale kronike, faktorë kardiovaskularë dhe trajtime inovative në mjekësi.

Ajo është gjithashtu anëtare e disa organizatave prestigjioze ndërkombëtare, mes tyre Shoqata Europiane e Nefrologjisë, Dializës dhe Transplantit, Kidney Health Initiative dhe Organizata Europiane e Kancerit.

Përveç kontributit në mjekësi dhe akademi, Prof. Dr. Zheni Gjergji ka qenë aktive edhe në jetën publike dhe politike të vendit. Ajo ka shërbyer si deputete e Kuvendit të Shqipërisë gjatë periudhës 2021-2025, si edhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.

Fitimi i titullit “Profesor” konsiderohet jo vetëm një sukses personal për të, por edhe një vlerësim për mjekësinë elbasanase dhe për gjithë komunitetin akademik shqiptar. Ky moment vjen si një tjetër dëshmi se puna e palodhur, përkushtimi ndaj dijes dhe shërbimit ndaj qytetarëve mbeten themeli i arritjeve më të mëdha profesionale. Prof.Dr.Zheni Gjergji  prej vjeshtës së vitit 2025 është drejtore e Spitalit Rajonal Elbasan dhe ka fitur popullaritet të jashtëzakonshëm për sukseset e arritura  si drejtuese gjatë kësaj periudhe duke fituar respektin e të gjithëve  për shërbimet cilësore që ofron ky institucion i rëndësishëm mjekësor .

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Talenti Michael Jackson

NGA NERTIL JOLE Nëse do më pyesnin se kush është...

“Fest në Sokak” promovon te turistët e huaj traditën dhe trashëgiminë kulturore në Gjirokastër

GJIROKASTËR,24 maj 2026/Albania Express News/24 maj/ATSH/ “Festë në Sokak”...

Berisha pasi u rikonfirmua në krye të PD: Mirënjohje edhe për ata që votuan kundër, vota e tyre do mbahet shënim

TIRANË,24 maj 1944/Albania Express News/Sali Berisha falënderoi anëtarët e...