Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar me një letër kryebashkiakut Erion Veliaj një ditë para mbajtjes së mbledhjes ku do të diskutohet për shkarkimin e tij. Letra vjen pasi Veliaj, i cili prej 10 shkurtit mbahet në qeli, i kërkoi Këshillit Bashkiak që të dëgjohej para se të merrej vendimi.Në letrën që Këshilli Bashkiak i ka dërguar Veliajt sot në qeli, i thotë se në rast të pamundësisë për të marrë pjesë në mbledhje, të gjitha pretendimet e tij mund t’i dërgojë me shkrim.
“Sa më sipër, në vijim të kërkesës suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet tuaja t’i përcilini me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje”, thuhet në letrën dërguar Veliajt.Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, nga ana tjetër, e quan praninë e Erion Veliajt në mbledhje, të drejtë që s’mund t’i mohohet, por më shumë se sa në favor të kryebashkiakut, lë të kuptuar se qëllimi është ta përballin me provat sipas tyre.
“Këshilltarët tanë të garantojnë se do të votojnë që ai të dëgjohet. Do të shihni se si do e rendisin këshilltarët tanë para tij dhe qytetarëve të gjithë dosjen e zezë, edhe ato që ka renditur SKAP dhe ato që ka fshehur. Por besoj se është gjëja më elementare ndaj të cilit të merret një masë të dëgjohet”, tha Berisha.
Por si mund të paraqitet fizikisht Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak? Së pari, duhet kërkuar një leje e posaçme nga drejtoria e Burgjeve, e cila në rast se jepet, duhet të marrë edhe pëlqimin e prokurorit të SPAK që po heton çështjen e tij. Report Tv u interesua, dhe deri në momentet e publikimit të këtij lajmi, nga mbrojtja e Veliajt nuk ka ende një kërkesë drejtuar Burgjeve për të marrë leje për të lënë qelinë përkohësisht e për tu paraqitur në këshillin bashkiak.
Ndërkohë, komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës do të mblidhet nesër për të shqyrtuar kërkesën e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Shqiptarja.com mëson se mbledhja, e cila pritej të mbahej sot, është shtyrë për nesër në orën 10:00, ndërsa pritet që të futet në rend dite kërkesa për shkarkimin e Veliajt. Më pas, në 16:00 do të mblidhet Këshilli Bashkiak, ku pritet të diskutohet edhe për kërkesën për shkarkimin e Veliajt.
Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.
Vendimmarrja për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin.
Por, vendimi i qeverisë për shkarkimin e kryebashkiakut mund të mos jetë fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend.
Vetë Veliaj përmes letrës drejtuar Këshillit Bashkiak e lë të hapur ankimin në Gjykatë Kushtetuese të vendimit të mundshëm për shkarkim. Ai fliste për një akt të pajustifikuar që krijon precedent të rrezikshëm për demokracinë, si edhe theksonte se do ta mbrojë deri në fund kontratën e tij 4-vjeçare me qytetarët e Tiranës.
Erion Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni.