Durrës , 08 tetor 2026 /Albania Express News/-Një episod i ndodhur gjatë mëngjesit të sotëm në hyrje të Portit të Durrësit ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të të dhënave personale gjatë procedurave të kontrollit dhe sigurisë.
Analisti dhe publicisti Klevi Elezi denoncon faktin se gjatë kontrollit në hyrje të portit, atij i është fotografuar leja e hyrjes portuale. Përmes një reagimi publik, Elezi kërkon transparencë nga institucionet përgjegjëse lidhur me arsyen e fotografimit, qëllimin e përdorimit të të dhënave dhe mënyrën se si ato ruhen e administrohen.
“Nëse kontrolli fizik është në rregull, pse fotografohet leja e hyrjes?”, shtron si pyetje Elezi.
Sipas tij, gjatë mëngjesit të sotëm, në hyrje të portit, leja e hyrjes portuale iu fotografua nga personat që kryen kontrollin.
“Deri këtu, mund të thuhet se bëhet fjalë për një procedurë sigurie. Por lind një pyetje krejt e ligjshme: përse duhet të fotografohet dokumenti, nëse kontrolli fizik dhe verifikimi i lejes rezultojnë në rregull?”, shprehet Elezi.
Ai i referohet kuadrit ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ngre një sërë pikëpyetjesh mbi bazën ligjore të këtij veprimi.
“Kush e ruan fotografinë e lejes? Për sa kohë? Kush ka akses tek ajo? Për çfarë qëllimi përdoret dhe mbi çfarë baze ligjore merret?”, pyet Elezi.
Sipas tij, siguria në një infrastrukturë strategjike si porti është e domosdoshme, por procedurat e sigurisë duhet të shoqërohen edhe me transparencë dhe respekt për privatësinë.
“Nëse ekziston një procedurë e përcaktuar, le të bëhet publike. Nëse fotografia është pjesë e një sistemi kontrolli, qytetari apo punonjësi ka të drejtë të dijë se çfarë të dhënash të tij po mblidhen dhe pse”, vijon reagimi.
Elezi e përmbledh qëndrimin e tij me kërkesën për një ekuilibër mes sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale: “Kontroll po. Siguri po. Por edhe transparencë dhe respekt për privatësinë.”
Në përfundim, Elezi kërkon që institucionet përgjegjëse të sqarojnë nëse fotografimi i lejeve të hyrjes në Portin e Durrësit është pjesë e një procedure standarde të sigurisë portuale dhe, nëse po, mbi çfarë baze ligjore kryhet ky veprim, për çfarë qëllimi përdoren të dhënat dhe si administrohen ato.

