Në zemër të qytetit të Elbasanit, aty ku historia shqiptare ndërthuret natyrshëm me trashëgiminë shpirtërore, këtë të shtunë u mbajt një nga veprimtaritë më domethënëse të viteve të fundit.
Simpoziumi Ndërkombëtar “Bektashizmi, 800 vjet histori, vlerat dhe sfidat në ditët e sotme”. Nën dritën e traditave të lashta dhe frymën unike të bektashizmit, përfaqësues instituticionalë, studiues nga disa vende të botës dhe komunitete të ndryshme fetare u mblodhën në Elbasan për të reflektuar mbi rrugëtimin e tetë shekujve të një besimi që, më shumë se çdo gjë tjetër, ka predikuar dashuri, paqe, shërbim dhe vëllazëri mes njerëzve.

E pranishme si përfaqësuese e një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Klodiana Spahiu, mbajti një fjalim të fuqishëm dhe frymëzues. Ajo vuri në pah rolin e bektashizmit në historinë kombëtare, kontributin e tij të pazëvendësueshëm në promovimin e harmonisë ndërfetare dhe vlerat që ky besim ka mbartur ndër shekuj, nga mësimet e Haxhi Bektash Veliut te idealet e Naim Frashërit.
Fjalimi i saj u kthye në një thirrje për bashkim, për kujdes ndaj trashëgimisë shpirtërore dhe për përballjen me sfidat e kohëve moderne me urtësinë dhe vendosmërinë bektashiane.
Më poshtë, fjalimi i plotë i Nënkryetares së Kuvendit të Shqipërisë, zj. Klodiana Spahiu në Simpoziumin Ndërkombëtar të Bektashinjve
Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor në Elbasan!
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetarë!
Të nderuar studiues të bektashizmit të ardhur nga disa vende të botës!
Është kënaqësi e veçantë për mua, në cilësinë e Nënkryetares së Kuvendit të Shqipërisë, të marrë pjesë në këtë Simpozium Ndërkombëtar dhe të përshëndes një auditor kaq të mrekullueshëm.
Bektashizmi, si një nga besimet e hershme në Shqipëri, ka luajtur dhe luan një rol të dorës së parë si brenda familjes së madhe myslimane, duke e pasuruar atë dita–ditës, ashtu edhe në kontekstin e mozaikut tonë fetar. Mesazhet e këtij besimi, ashtu siç i ka cilësuar tetë shekuj më parë krijuesi i tarikatit, Haxhi Bektash Veliu, mbeten:

Ta duam njëri–tjetrin për hir të dashurisë ndaj Krijuesit!
Ejani tek kjo shtëpi e madhe e virtyteve, e shërbestarisë, e dashurisë ndaj Krijuesit!
Ejani tek kjo shtëpi e madhe e virtyteve, e shërbestarisë, e dashurisë për vëllain në krah, pavarësisht etnisë, racës apo ngjyrës!
Në mënyrë të veçantë, bektashizmi shqiptar fitoi një peshë të re nën idetë e Naim Frashërit. Ky mendimtar dhe atdhetar i pashoq, në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, me opusin e vet letrar, i dha dimensione të reja besimit bektashian, duke e shndërruar atë në pararojë të çështjes kombëtare shqiptare. Si rrallëkush në historinë e tij shekullore, bektashizmi në vendin tonë u njehsua me lëvizjen për autonomi dhe pavarësi territoriale. Uniteti “Fe–Atdhe” u shpërfaq dukshëm jo vetëm tek klerikët, por edhe tek brezat e besimtarëve bektashianë.

Është fakt i pamohueshëm se përpjekjet e klerikëve, intelektualëve dhe besimtarëve bektashianë çuan në mëvetësinë e këtij besimi në fillimet e shekullit të njëzetë, duke rritur ndjeshëm frymën për pavarësi kombëtare. Roli i bektashinjve në këto procese me rëndësi historike, pa dyshim ka ndihmuar edhe në krijimin e vëllazërisë fetare në Shqipëri.
Të nderuar të pranishëm!
Më vjen shumë mirë ndërsa shoh këtu, në këtë auditor, studiues të njohur të bektashizmit, të ardhur nga disa vende të Evropës dhe më larg akoma. Nisma e Gjyshatës së Elbasanit, posaçërisht e Baba Admir Selmanit, për të ndërthurur veprimtaritë fetare me komunitetet bektashianë të Ballkanit, më duket mjaft e çmuar. Jo vetëm në kuptimin historik, në kërkim të vlerave të dikurshme të bektashizmit. Por sidomos në kuptimin aktual, në gjetjen e këndvështrimeve të ndryshme dhe afrimin e tyre për të bërë ballë problemeve të shumta të globalizmit.

Dyert e teqeve shqiptare, sikundër ato të kishave të krishtera apo dyert e xhamive tona, kanë qenë dhe mbeten të hapura për ndjekësit e tyre. Ne shqiptarët ndihemi mirë, edhe pse në regjimin e kaluar besimi në Zot u ndalua. Them ndihemi mirë, sepse fshehurazi, prindërit tanë e vazhduan atë besim, me respekt të thellë për fetë dhe për popullin besimtar. Neve, ndonëse fshehurazi, i festuam së bashku Krishtlindjet, Bajramet dhe Ditën e Bekuar të Ashures, si një shembull unikal në botë.
Le të jetë edhe ky Simpozium Ndërkombëtar një manifestim i sinqertë i kësaj dashurie vëllazërore!
Le të shërbejnë idetë dhe mendimet tuaja për ditë më të sigurta dhe të paqta, në këtë botë ku çdo ditë luftërat marrin jetë të pafajshme!
Le t’u afrohemi problemeve, përplasjeve, mërive, me urtësinë proverbiale bektashiane!
Ju faleminderit të gjithëve!




