Në shtetin personal të Kapos

Nga Ermal Mulosmani

 

 

Tani nuk kam më asnjë dyshim, Shqipëria është dorëzuar. Opozita nuk do zgjedhje të reja dhe populli nuk do të protestojë. Ky do të ishte, nëse do të citoja një politolog të famshëm ndërkombëtar, “Fundi i historisë”.

Çdo opozitar optimist duket sikur jeton në një botë imagjinare. Nëse thua që “Edi Rama do i humbë zgjedhjet” – bashkëbiseduesi do të të shohë si të çmendur. “Jeton në këtë botë ti apo jo”? – duket sikur thotë shikimi përballë.

Rrjeti kapilar i patronazhistëve, fuqia korruptive ekonomike, shpëlarja antiopozitare mediatike, kooperimi me mafian e votave, blerja përmes klientelizmit të figurave eminente të biznesit, e kthejnë në utopi çdo tentativë. Nga ana tjetër largimet e përvitshme, masive, të kundërshtarëve të tij jashtë vendit, e kanë kthyer Shqipërinë në një çiflig personal të Kapos.

Këtu kanë mbetur përfitues të mëdhenj, përfitues të vegjël, përfitues opozitarë dhe mbijetues. Nga kategoria e fundit lëvizin çdo ditë e më shumë të pashpresë në emigracion. Jemi konformuar me Kapon në fuqi aq sa edhe mllefi prej marazit në rrjetet sociale na duken si akt revolte. Në fakt janë dëshmi pafuqie.

Nuk ka Sulltan, Mbret apo Emir që mund të krahasohet me Edi Ramën. Çdo delir narcistik i tij, çdo vizion apo tekë që i vjen në mendje është një ligj për administratën e tij. Ka vënë në këmbët e tij Opozitën, Drejtësinë, Krimin, Biznesin, Median.
Padyshim mund të quhet Kapo i të gjithë Kapove. Dikur e kam krahasuar Kryeministrin tonë të bekuar me personazhin e Peçorinit të Lermontovit, një karakter mjaft interesant.

Për një publik që nuk e njeh Peçorinin po e përshkruaj pak më poshtë:
Peçorini ishte një i ri moskovit, aristokrat, që internohet në malet e ashpra plot borë, mjegull, erë, orteqe të Kaukazit, diku në Gjeorgji. Jetonin në ato vende gjithfarë fisesh që nga osetët, çerkezët, kozakët, çeçenët, dreqi e i biri. Njerëz të pagdhendur, suferinë që nuk pushonte kurrë, orteqe pa mbarim ishin ngjarjet e ditës në atë humbëtirë. Samovari i çajit dhe riti i bisedave që shoqëronin pirjën e tij ishte të vetmet momente të bukura të ditës…

Ai (Peçorini) ishte trim i çartur, por, çuditërisht ndonjëherë, edhe frikacak e i butë; herë ishte nopran, i ashpër e pa ndjenja por ndonjëherë edhe melankolik e i dhembshur si çupëlinë e ndrojtur. Ndonjëherë të shkulte së qeshuri siç kishte ditë që nuk flitej me të. Në përgjithësi të mahniste me cilësinë e të folurit dhe zotëronte aftësi të jashtëzakonshme për të magjepsur bashkëbiseduesit.(I lutem lexuesit të më mirëkuptojë: Jo domosdoshmërisht çdo cilësi e Peçorinit si fjala vjen trimëria etj, është edhe e Kapos sonë).

Ngjashmëria më e madhe e Peçorinit me Ramën është narcizmi, paqëndrueshmëria, aventurizmi ekstrem dhe dashuria për të shkaktuar vuajtje te të afërmit. Jeta në Kaukaz e lidhi fort me një ish ushtarak të vjetër të Rusisë- burrë trim dhe i ndershëm- i cili i rrëfen lexuesit një nga historitë më mbresëlënëse të dashurisë, atë të Peçorinit me një çerkeze të hatashme që vdiq nga dashuria për të dhe neglizhenca vrasëse e tij.

Peçorini u fiksua me çerkezen 16 vjeçare në një dasmë ku ishte i ftuar me plakun. Përmes intrigave plot rreziqe me të vëllanë e vajzës, e rrëmben atë dhe e sjell në banesën e vet. Dukej sikur jeta e tij varej nga ajo vajzë dhe dashuria e saj. Por brenda 10 ditëve ai e harron atë në shtëpi sikur të mos ishte duke e çuar në vetvrasje.

Forca e tij joshëse si karakter e kishte bërë edhe plakun tonë Maksim Maksimiç të mahnitej prej tij. I ngrati mendonte se njohja me Peçorinin ishte po kaq e rëndësishme edhe për Peçorinin, besonte te dedikimet pasionante të tij kur i thoshte që “Njohja me ju ishte dhuratë nga Zoti”. Megjithëse ndodhte shpesh që Peçorini e harronte se jetonte nën një çati me të, plaku ishte i bindur për lidhjen e fortë që ekzistonte mes tyre. (Eh, sa të tillë mund të numërojë Kapo ynë…).

Tashmë që Peçorini e kishte shtënë në dorë ajo ishte robinja e tij.
I tillë ishte Peçorini! Ai donte vetëm veten. Të tjerët ishin personzhe që gjallonin për të kënaqur egon e tij të pamatë.
Historia e Peçorinit me çerkezen më duket si metaforë e bukur për historinë e Edi Ramës me Shqipërinë. U fiksua me pushtetin, e mori me intriga, e filloi me përulësi e lajka, e përkëdheli, e mashtroi me lajlelule derisa e nënshtroi totalisht.
Tani jetojmë në epokën e poshtërimit të së dashurës. Një çerkeze si Shqipëria nuk mund të jetë e dashura e një moskoviti si Edi Rama. Nëse po duhet të paguajë tekat e tij sadiste.

Gjithë shteti shqiptar është në funksion të tekave të Kapos. Pothuaj çdo president, ministër, deputet, gjyqtar, prokuror, opozitar, kriminel, gazetar ka në mendje t’i bjerë në sy Kapos. Secili sipas mënyrës së vet. Por edhe kjo nuk e kënaq egon e tij të paanë. Kapo duhet t’i poshtërojë publikisht!

Nuk ka rëndësi se kush është përballë, ai duhet të kuptojë që është thjesht aty në atë vend sepse kështu i është tekur Kapos. Në vend të tij mund të jetë Zegjineja, Beromi, Braçja, një student nga Kosova apo një mjelëse nga Dukagjini.
Një zyrtar shkon në punë sot jo të bëjë detyrën që i është ngarkuar nga ligji por të imagjinojë atë që pëlqen Kapo dhe ta habisë atë. Një roje mund të përfundojë brenda ditës Ministër apo një Presdient në burg-kjo varet nga humori i Kapos. Kriminelë të famshëm janë të etur të shërbejnë për votat e Kapos. Çdo katër vjet emrat ndryshojnë, legjenda vriten ose burgosen por një gjë nuk ndërron: Kapo.

Ky nuk është një regjim. Është një shtet personal, një shembull i pashembullt në historinë e një vendi që në dukje bën zgjedhje demokratike.
Është një tredhje kolektive e veshur me kostum modern.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Shkumbini ndan rrugët me trajnerin: Kush do e marrë drejtimin?

KF Shkumbini njofton se trajneri Lorenc Pashja ka dhënë...

Kapetanović: Start-upet e Ballkanit, potencial i madh që pret të shndërrohet në rritje të vërtetë

Ballkani Perëndimor ka energji, ide dhe talente, por i...

Nga ‘like’-u te ankthi…

Nga Majlinda Bregu Përdorimi problematik i rrjeteve sociale është rritur...

Laguna e Patokut, një parajsë turistike

Nga Ymer Hysa Jo vetëm ai që e sheh për...