Në Elbasan përkujtohet 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit disident Bilal Xhaferri, “Nder i Kombit”

Në një atmosferë të ngrohtë miqësie e respekti, mes përfaqësuesve të komunitetit çam, familjarëve, studiuesve dhe dashamirësve të fjalës së lirë, u përkujtua në Elbasan 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit, publicistit dhe disidentit të shquar nga Çamëria, Bilal Xhaferri, mbajtës i titullit të lartë “Nder i Kombit”.

Lindur në fshatin Ninat të Konispolit në vitin 1935, Bilal Xhaferri mbetet një nga figurat më të guximshme të letërsisë dhe mendimit kritik shqiptar, një zë që sfidoi hapur diktaturën komuniste përmes vargjeve, tregimeve dhe publicistikës së tij.

Organizatori i aktivitetit përkujtimor, gazetari dhe publicisti Hyqmet Zane, vlerësoi dimensionin e shumëfishtë të krijimtarisë së Xhaferrit dhe guximin e tij intelektual, në një kohë kur fjala e lirë paguhej shtrenjtë.

“Bilal Xhaferri është një ndër simbolet më të pastër të lirisë dhe mendimit kritik në letërsinë shqiptare. Ai u përball me censurë, ndalim dhe përndjekje, derisa u detyrua të largohej drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku vazhdoi të shkruajë dhe të mbrojë idealet e tij për një Shqipëri demokratike,” – u shpreh Zane.

Në fjalën e tij, studiuesi i njohur Bashkim Kuçuku, një nga njohësit më të mirë të veprës së Bilal Xhaferrit, theksoi se vlerësimi i plotë për figurën e shkrimtarit erdhi vetëm pas rënies së komunizmit.

“Letërsia e Bilal Xhaferrit është e mbushur me dritë, revoltë dhe dashuri për atdheun. Ai është dëshmi se si një zë i vetëm mund të bëhet frymë për një komb të tërë,” – tha Kuçuku.

Në kujtimet e saj, Aferdita Murtaj, mbesa e shkrimtarit, solli një dimension njerëzor e familjar të figurës së tij, duke theksuar se ndonëse jeta i dha shumë sprova, ai mbeti gjithmonë i përkushtuar ndaj artit dhe lirisë.

“Bilali humbi prindërit që në fëmijëri dhe e nisi jetën me shumë vështirësi. Por pasioni për poezinë dhe letërsinë i dha forcën për të mos u dorëzuar kurrë. Ai na la një trashëgimi shpirtërore që na udhëheq ende sot,” – rrëfeu ajo.

Bilal Xhaferri ishte autor i veprave që kanë hyrë në fondin e artë të letërsisë shqiptare, si “Krastakraus”, “Njerëzit e rinj”, si dhe i revistës legjendare në mërgim “Krahu i Shqiponjës”, e cila u kthye në një tribunë të mendimit të lirë dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Edhe pse u nda nga jeta në vitin 1986, në mërgim, zëri dhe vepra e Bilal Xhaferrit mbeten një dritare e hapur drejt pluralizmit, vetëbesimit dhe shprehjes së lirë artistike – një testament që frymëzon brezat e rinj të krijuesve shqiptarë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Ekzekutimi i biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan, del sot para gjykatës Nevzat Spaho

  Zhvillimet gjyqësore për vrasjen e biznesmenit Edmond (Mondi) Mëhalla...

Presidenti bullgar kërkon dorëheqjen e qeverisë vendi drejt zgjedhjeve

Presidenti bullgar Rumen Radev ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme...

Evakuohet një qytet në Greqi për shkak të daljes së lumit nga shtrati

Banorët e vendbanimit Yperia në bashkësinë rajonale të Larisës...

Parashikimi i motit për sot, 6 dhjetor 2025

Ditën e shtunë vendi ynë do të jetë në...