Analizë nga NEPTUN BAJKO
Duke qenë futbolli një lojë kolektive, pra një lojë që kërkon një shpërndarje të mirë të aftësive tekniko-fizike dhe morale-psikologjike, pothuajse të barabartë, që harxhimi i energjisë si individ, si repart dhe si ekip të mos rëndojë te njëri apo tjetri më shumë sesa ka. Kjo ishte ajo që më ra në sy më shumë pozitivisht te ekipi ynë, në krahasim me atë të serbëve.
Në pjesën e dytë, ky fakt bëri që serbët, sa vinte, binin si në anën fizike, ashtu edhe në atë morale-psikologjike. Ekipi ynë kombëtar e mbylli ndeshjen me freski dhe energji, ndërsa ekipi serb, jo vetëm i lodhur e i dorëzuar, por edhe i çorientuar e me paqartësi të theksuara. Ekipi serb luajti vetëm 15 minutat e para të lojës. Ndoshta për aq ishin përgatitur, duke menduar se do të arrinin të shkonin, të shënonin e pastaj të ishte më e lehtë prapa. Asnjë surprizë në lojë. Loja ishte tepër kaotike, pa mendim, pa forcë nga ana e serbëve. Ekipi ynë kombëtar fitoi, sepse jo vetëm që e njihte lojën në tërësi, por nga ndeshjet e para deri tek ajo e Leskovcit, skuadra pasqyroi përmirësime të ndjeshme, në veçanti në dy aspekte.
Së pari, luajti me qetësi, në bllok. Ishin të lirshëm dhe me besim në qarkullimin e topit. Luajtën jo vetëm thjeshtë, por mbi të gjitha me besim për atë që dinin të bënin, për atë që dinin të bënin më mirë. Dhe e bënë, në fushën e lojës.
Ajo që më ra në sy në takimin e dytë me serbët ishte lëvizshmëria e lojtarëve, duke kontrolluar mirë mbajtjen e topit, duke ruajtur mirë distancat e reparteve, të lojtarit me lojtarin, dhe ajo më e rëndësishmja, të vetë lojtarit të repartit me atë të kundërshtarit. Gjë që çoi në heqjen e surprizës së kundërshtarit dhe forcoi lojën në bllok të ekipit tonë, një element bazë në futbollin e sotëm.
Ky element, që është dominant në futbollin botëror, duhet rritur e përmirësuar akoma më tej për ta arritur objektivin që kemi për vajtjen në Botëror. Pra, me një fjalë, ekipi ynë kombëtar në çdo aspekt pasqyroi një nivel të mirë përgatitjeje, një nivel të lartë të anës morale-psikologjike, duke përmbysur gjithë opinionin, jo vetëm te ne, por në mbarë Europën, për një ndeshje delikate, të vështirë dhe që mund të kishte, nëse nuk do të shkonte mirë, pasoja të rëndësishme për ne, por më tepër për serbët.
Aspekti i dytë që ra në sy ishte që, edhe pse stadiumi ishte i vogël, nuk kishte atë entuziazëm që do ta dëshironin serbët më tepër në Beograd sesa aty. Shërbeu edhe kjo, kjo lëvizje dhe ky qëllim i vendosjes në një stadium të tillë, për qetësimin e situatës paraprake dhe në fillimin e një loje e ndeshjeje normale. Kjo ishte pozitive, dhe duhet pasur parasysh se në një ambient të tillë, lojtarët dhe ekipi ynë kombëtar luajtën më të qetë dhe me bindje të plotë për atë që kishin vajtur aty.
ÇELËSI I FITORES – Uzuni, Manaj dhe shpeshherë edhe Broja. Kjo tregoi që ekipi ynë kombëtar ishte i përgatitur mirë, si nga stafi dhe trajneri, ashtu edhe nga lojtarët. Së dyti, hapësirat e Manajt, Uzunit dhe Brojës u vunë në shërbim të lojës kolektive, të lojës në bllok të ekipit tonë, që ndihmonin në çdo aspekt. Ndihmonin si në veprime sulmuese, por më tepër edhe me vëmendje. Ata kryenin, sidomos Uzuni, edhe veprimet mbrojtëse, që ishin një plus i madh në lojën në bllok të ekipit tonë. Një tjetër gjë që pasqyroi ekipi kombëtar dhe roli i trajnerit ishte që ekipi ishte i përgatitur, të mos kishte tension mbi atë që mund të lejohej në një ndeshje futbolli.
Ekipi kishte besim te forcat e veta dhe, ajo që ishte më e rëndësishme, të mos e lëshonin lojën në asnjë minutë, sepse kjo do të favorizonte kundërshtarët. Po ashtu, nga sa pamë dhe kuptuam në televizion, drejtimi i ndeshjes nga Silvinjo dhe stafi i tij ishte mjaft korrekt dhe në momentet e caktuara e vendimtare për të zgjuar e shkundur lojtarët që të kujtoheshin për detyrat që ishin dhënë. Kjo ishte shumë pozitive, sepse trajneri, stafi dhe stoli u bënë njësh me ekipin që luante brenda. Kjo i dha forcë morale dhe psikologjike lojtarëve tanë, që të vepronin me qetësi, të ishin të qetë dhe të bënin atë që dinin të bënin më mirë.
KU DUHET TË RIPAROHEMI – Unë mendoj që një gjë që do ta kërkojë niveli, sepse çdo kalim i një pengese vjen me një pengesë tjetër, edhe më të vështirë. Pra, me ato ndeshjet që mund të vijnë më mbrapa. Unë mendoj që e vetmja gjë që mund të korrigjohet në këto momente është që të forcohet më tepër ajo lufta “një për një”, duelet dhe fitimi i topit në duele. E dyta, loja në presing në gjysmëfushën tonë. Ekipi duhet ta pasqyrojë dhe ta përmirësojë akoma më tepër lojën në gjysmëfushën tonë, jo thjesht në kthimin dhe zënien e hapësirave, por gjithmonë duke pasur përballë kundërshtarë, për të mos lejuar marrjen e topit lirshëm nga ata dhe organizimin e lojës. Dhe ajo që ka më shumë rëndësi, sipas mendimit tim, është që kërkon edhe një përgatitje fizike speciale, që disa lojtarë duhet ta përmirësojnë akoma më tepër.
LOJTARËT E NDESHJES – Shiko, ekipi ka, domethënë, ato përgjegjësi vetëm pozitive. Gjithë ekipi me gjithë stolin. Por të bësh dallime në këtë ndeshje, ku duhej patjetër fitorja, është shumë e vështirë. Por unë do të them këtë: një nga pikat më të forta ishte portieri Strakosha, i cili nuk binte shumë në sy, por vendosja në portë, orientimi që i bënte ekipit dhe mbrojtjes, ndërhyrjet në ato topa që erdhën në pozicione të ndryshme, i bëri me shumë besim dhe profesionalizëm. Ndikimi psikologjik që ka portieri në lojën e një ekipi shpeshherë nënvlerësohet, por portieri është faktori psikologjik më i mirë për ekipin. Kur ke një portier të mirë në portë, nuk kthehesh më me shpinë, por ecën vetëm përpara për të marrë pozicionin në fushë, duke ditur se porta është e sigurt. Pra, roli i portierit merr një vlerë të jashtëzakonshme në këto takime, dhe këtë e bëri në shumicën Strakosha.
MË MIRË NË SERBI APO NË TIRANË – Shiko, duke e parë në dhjetë minuta të para të Tiranës dhe në atë të Serbisë… unë mendoj që ndeshja atje ishte më e vështirë, në çdo pikëpamje, si për ekipin, ashtu edhe për publikun dhe për të dyja skuadrat në fushë. Por ndeshja më e mirë u bë në Leskovc, them unë. Pse them këtë? Sepse ekipi i përballoi me sukses ato 15 minutat e para, ku serbët luajtën vërtet mirë, krijuan dy-tre raste që nuk u konkretizuan, por dalja nga ajo situatë dhe marrja e kontrollit të lojës, rritja e nivelit të lojës vazhdimisht, bëri që ekipi ynë të tregonte ndryshim të madh nga ajo në Tiranë. Nga forca dhe përballja, ndeshja ishte më e vështirë në Tiranë, por nga pikëpamja e organizimit dhe përgatitjes, e lëvizjeve që tregonte ekipi në fushë në Serbi, ajo ishte më e mirë.
SHANSET E HUMBURA – Unë të them vetëm një gjë, ashtu ishte. Serbët jo vetëm që ishin të çorientuar dhe nuk dinin si të vepronin, por ishte edhe një ekip që nuk po jepte më shpresë për të vazhduar lojën. Unë them që atmosfera në dhomat e zhveshjes ka qenë ndryshe për ekipin tonë, që hyri në pjesën e dytë me një avantazh në sekondat e fundit, dhe krejt ndryshe për ekipin serb. Me siguri, në dhomat e zhveshjes së Serbisë ka pasur shumë debate, shumë mosmarrëveshje, të cilat u pasqyruan edhe gjatë pjesës së dytë. Ky është mendimi im.
BOTËRORI – Unë mendoj se janë ndeshje shumë të vështira. Shumë, shumë të vështira. Asnjë lloj parashikimi nuk mund të bëhet dhe asnjë mendim i prerë nuk mund të jepet, kur ende nuk e njohim kundërshtarin. Por rritja, shkalla e vështirësisë, do të jetë shumë më e madhe sesa me Serbinë dhe me ekipet e tjera që kemi përballur deri tani. Pra, do ta shohim.