Nderim i përjetshëm për dëshmorin e UÇK-së, Ndriçim Koxha. Gizaveshi ngre memorial në kujtim të heroit të rënë për lirinë e shqiptarëve

Nga Fatmir Brazhda

Këtë mesjavë, në një ceremoni emocionuese dhe dinjitoze, fshati Gizavesh në Njësinë Administrative Qendër, bashkia Librazhd, përkujtoi birin e tij, dëshmorin e atdheut Ndriçim Sherif Koxha, përmes përurimit të një memoriali të ngritur pranë shkollës 9-vjeçare të këtij fshati. Memoriali kushtuar dëshmorit Koxha, i cili u vra pabesisht më 7 gusht 2001 në Gazibabë të Shkupit gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), u bë realitet falë përkushtimit të familjarëve të tij, djalit, motrave dhe vëllait si dhe mbështetjes së bashkisë së Librazhdit, që akordoi lejen për sheshin ku u vendos përmendorja.

Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë bashkëluftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, qindra banorë të zonës, autoritete lokale, si dhe figura të larta të pushtetit qendror, përfshirë ministren Bora Muzhaqi, njëkohësisht deputete e Librazhdit, e shoqëruar nga kolegu i saj, deputeti Olsi Komici.

Një jetë në shërbim të lirisë

Ndriçim Koxha lindi më 15 mars 1971 në fshatin Gizavesh të Librazhdit. I edukuar me ndjenjën e thellë të atdhedashurisë, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001. Luftoi me guxim në zonat e Sllupçanit, Mateçit dhe Haraçinës, duke qenë pjesëtar i njësisë së njohur “Teli”, nën komandën e Komandant Lefter Bicajt.

Në mëngjesin e 7 gushtit 2001, vetëm tre ditë pas shpalljes së armëpushimit mes UÇK-së dhe forcave maqedonase, forcat speciale maqedonase ndërmorën një aksion të befasishëm në lagjen Gazi Babë të Shkupit. Aty, në një sulm të orkestruar pabesisht, u goditën në gjumë Komandant Teli dhe bashkëluftëtarët e tij. Në këtë sulm ranë dëshmorë Ndriçim Koxha, Pajtim Roci, Abaz Beqiri, Arben Bajrami dhe Adem Hasani ,vetëm gjashtë ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që shënoi fundin e konfliktit ushtarak.

Vlerësime për dëshmorin, një simbol i sakrificës për lirinë e kombit

Në fjalët e mbajtura gjatë ceremonisë, dëshmori Ndriçim Koxha u përshkrua si një burrë trim, idealist dhe i vendosur për të kontribuar në lirinë dhe barazinë e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.Ministrja Bora Muzhaqi theksoi gjatë fjalës së saj se ,“Ndriçim Koxha është një nga bijtë më të denjë të këtij vendi, që nuk u kursye as për jetën, kur ishte fjala për lirinë e kombit. Kujtimi i tij do të jetojë përgjithmonë si shembull i lartë i patriotizmit dhe vetëmohimit.”Ndërsa bashkëluftëtarët e tij nga Maqedonia e Veriut kujtuan me emocion momentet e fundit me Ndriçimin, duke e quajtur atë:“Një luftëtar i heshtur, por me guxim prej luani. Ai nuk luftoi për lavdi, por për drejtësi, për bashkim, për dinjitet.”

Memoriali, një kujtesë për brezat që vijnë

Memoriali ngritur në zemër të fshatit ku ai lindi nuk është thjesht një simbol nderimi për jetën e tij, por një mesazh i fuqishëm për brezat e ardhshëm, që të mos harrojnë se liria nuk është e dhënë, por është fituar me gjak, sakrificë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Familjarët e dëshmorit Koxha, me emocione të thella, falënderuan të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij nderimi, duke theksuar se Ndriçimi nuk jeton më mes tyre fizikisht, por ai do të jetojë përjetë në kujtesën e këtij fshati, të këtij kombi dhe të çdo shqiptari që beson në drejtësi dhe liri.

Lavdi e përjetshme Ndriçim Koxhës, birit të mrekullueshëm të Gizaveshit. Ai nuk ra… ai u ngrit në përjetësi, si një yll i pashuar në qiellin e historisë shqiptare.Ai e shkroi emrin me germa të arta në listën e Dëshmorëve të UÇK.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Nga infrastruktura tek zhvillimi ekonomik: Banorët e Papërit japin votën për prioritetet

Në kuadër të procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, Kryetari...

Rama: Bashkitë të sjellin hartat e Paketës së Maleve brenda tetorit, amendime për lehtësimin e burokracive

Kryeministri Edi Rama kërkoi marrjen e masave nga bashkitë...

Gvozdenoviç beson te reagimi: “Do ta kalojmë momentin e vështirë”

Elbasani përgatitet për një ndeshje të rëndësishme ndaj Bylisit,...